Shefi i kabinetit të Orban: Hungaria nuk do ta arrestojë Putinin nëse ai kalon kufirin
Hungaria nuk do ta arrestojë presidentin rus Vladimir Putin nëse ai do të hyjë në vend, tha të enjten shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, duke shtuar se nuk ka asnjë bazë ligjore për t’u bërë një gjë e tillë.
Hungaria është nënshkruese dhe ratifikuese e Statutit të Romës që krijoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), e cila lëshoi një urdhërarrestim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, duke e akuzuar atë se është përgjegjës për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina, që përbën krim lufte.
I pyetur nëse Putini do të arrestohej nëse do të shkonte në Hungari, shefi i kabinetit të Orbanit, Gergely Gulyas, tha në një konferencë se Statuti i Romës nuk ishte ndërtuar në sistemin ligjor hungarez. Ne mund t’i referohemi ligjit hungarez dhe bazuar në këtë nuk mund të arrestojmë Presidentin rus… pasi statuti i ICC nuk është shpallur në Hungari”, tha Gulyas.

