Rritja e inflacionit në RMV rrit varfërinë te qytetarët!

Shkup, 2 dhjetor – Sipas Eutostat-it Maqedonia e Veriut është vendi me përqindjen më të lartë të inflacionit me vlerë prej 19.4 për qind në bazë të IHÇK-së (Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit), në krahasim me të gjitha vendet e tjera të rajonit. Ndryshe, si probleme  kryesore për inflacionin e lartë është rënia e standardit të jetesës së qytetarëve si dhe mënyra se si qytetarët funksionojnë duke shpenzuar në çdo veprim që e bëjnë. Pagat e ulëta dhe mungesa e mundësive për punë poashtu kanë kontribuar fuqishëm në pabarazinë e të ardhurave në rajon. Ndërsa, kostoja e jetesës për qytetarët në vendin tonë ka dallime të mëdha në krahasim me vendet tjera të rajonit, gjë që gjithashtu kërcënon synimet drejt BE-së, në këtë situatë kur vendi ynë është në prag të marrjes së datës për fillim të negociatave me BE-në, shkruan Zhurnal.

Inflacioni është në rritje në Maqedoninë e Veriut dhe me këtë pritet të rritet numri i qytetarëve të varfër-

Kostoja e jetesës po rritet me shpejtësi të madhe saqë qytetarët edhe po zihen në befasi. Jemi dëshmitarë se çmimet e shumë produkteve ushqimore janë rritur jashtëzakonisht shumë, edhe përkundër faktit që së fundmi kemi një masë për uljen e çmimit të bukës për 4 denarë, sërish gjendja e çmimeve mbetet shqetësim kryesor i qytetarëve. Si gjithmonë, më të prekurit do të jenë ata që deri tani kanë jetuar me të ardhura të ulëta, ose fare pa të ardhura që kanë qenë nën mëshirën e humanizmit.

Tashmë po bëhen llogaritë se për çfarë kemi para dhe për çfarë nuk kemi dhe po bëhen kompromise për cilësinë e ushqimit dhe strehimit. Pritet që një pjesë e qytetarëve të cilët në të kaluarën ishin në rrezik të varfërisë të bien nën pragun dhe po pritet të rritet numri i të varfërve. Fatkeqësisht, qytetarët që ende jetojnë nën atë vijë do të gjenden në një situatë edhe më të pafavorshme, pa kushte minimale për një jetë me dinjitet.

Ndryshe, me këtë dinamikë ekonomike numri i qytetarëve të varfër vetëm se do të rritet edhe më shumë, ndërkaq ata që veçmë janë të varfër do ta kenë edhe më të vështirë të përballen me shpenzimet e përditshme që tashmë janë veçse me çmime shumëfish më të larta.

RMV e ka inflacionin më të lartë në rajon-

Inflacioni mesatar në periudhën janar – gusht 2022 ishte 11,6% në nivel vjetor dhe kryesisht rezulton nga faktorë të jashtëm në anën e ofertës, njofton Banka Popullore e RMV-së.

Prej atje theksojnë se kontributin më të madh në rritjen e inflacionit të brendshëm e ka rritja e çmimeve të importit të ushqimeve dhe energjisë, duke përfshirë çmimin e brendshëm të energjisë elektrike dhe atë termike, të cilat janë ndikuar nga zhvillimet në tregun botëror të energjisë.

Qeveria lavdërohet se falë masave të saj, nga muaji gusht paga mesatare në vend është rritur për 11.3%, ose për 3.229 denarë dhe arrin shumën prej 31.871 denarëve. Qeveria thekson rritja e vazhdueshme e pagës mesatare është rezultat i masave dhe politikave ekonomike të zbatuara për rritjen e mesatares dhe pagës minimale, e cila është 18.000 denarë.

Ndërkohë opozita maqedonase kritikon pushtetin. Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, paga për qytetarët nuk është arritur aspak, por përkundrazi, ajo është zvogëluar për më shumë se 7%. Kjo sipas Mickovskit për shkak të rritjes së inflacionit, i cili në vendin tonë ka rritje më të madhe në rajon.

Inflacioni në muajin gusht, muajin të cilin e krahason Kovaçevski, është 18.7% dhe bindshëm është më i larti në rajon, nuk ka shkallë më të lartë të inflacionit. Që do të thotë se nëse paga mesatare është rritur për 11,1 për qind siç thotë Kovaçevski, rritja reale është minus 7,6%. Për shkak se keni inflacion prej 18.7 për qind, ndërsa rritja është shumë më e vogël nga ai inflacion. Dhe ja që të jem më i saktë, qumështi, buka, veza, vaji janë rritur për 18.7 për qind, ndërsa shumën e parave që e ka marrë ai që i blen këto produkte është 11.1. që do të thotë kemi më shumë shpenzime, ndërsa pagë më të vogël, ka thënë Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Megjithatë, gjendja reale vështirë të ndryshohet në një situatë kur vendi është i thelluar në krizë ekonomike, tanimë paga minimale prej 18 mijë denarëve është e pamjaftueshme për të mbushur shportën sindikale mujore që sipas përllogaritjeve të fundit është diku 32 mijë denarë. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut me jetën luksoze duhet të përshëndeten sepse kemi të bëjmë me mbijetesë.

Mbase, kjo krizë ekonomike nuk ka ardhur rastësisht, e as nuk largohet befasisht sepse ndikim direkt ka angazhimi i Ministrisë së Ekonomisë, Financave, si dhe e gjithë Qeveria që kjo futje në këtë krizë të ketë një përfundim sa më shpejt që është e mundur. Si dhe të dilet nga kriza me metoda të posaçme të cilat do ta kishin ringjallur ekonominë e vendit. /Zhurnal.mk