Rexhail Qerimi ndërroi jetë duke kërkuar drejtësi, Orce Kamçev doli në liri!

Shkup, 10 nëntor – Në Maqedoninë e Veriut për shqiptarët vdekja është liri, për biznesmenët maqedonas liria ka çmim. Në këtë vend gjithçka blihet e shitet, ndryshe në hartë lirisht mund të vendoset një shenjë e tregut, jo se ka ekonomi tregtare të zhvilluar, por për të dhënë sinjal për të gjithë se në vendin tonë shitet lira e porositet burgosja. Malli apo produkti me të cilin më së shumti tregtohet është liria dhe drejtësia. Ka edhe një ndarje interesante mes atyre që e blejnë lirinë dhe atyre që janë viktima të “burgosjes me porosi”. Biznesmenët maqedonas janë ato të cilët e blejnë lirinë, ndërkaq shqiptarët janë viktima për të cilët porositet burgosja. Përmes dy emrave kjo e thënë kuptohet dhe sqarohet më mirë, Rexhail Qerimi dhe Orce Kamçev. I pari ndërroi jetë duke kërkuar drejtësi, i dyti është në liri, shkruan Zhurnal.

Biznesmeni, Orce Kamçev, është liruar para disa ditësh, gjegjësisht nuk ka më obligim të paraqitet për të fjetur në burgun e Strugës. Së fundmi ai ka kërkuar bashkimin e dy dënimeve me burg që duhet të vuajë, pra është dënuar me një vit burg për rastin “Perandoria” dhe të njëjtin dënim e ka marrë edhe për rastin “Parcelat në Vodno”. Kështu që tani, në vend të  dënimit për dy vjet, biznesmeni ka marrë një dënim të përbashkët, i cili është ulur për katër muaj, pra gjithsej duhej të vuante dënimin gjithsej një vit e tetë muaj.

Mësohet se Kamçevi tashmë është liruar, pasi ka marrë një muaj lirim me kusht nga burgu. Kamçev për rastin “Perandoria” u dakordua me prokurorinë dhe u dënua me një vit burg, si dhe pagoi 5.2 milionë euro dëmshpërblim.

Kush është Orce Kamçev?

Jordan “Orce” Kamçev, është një nga emrat më të përfolur në Maqedoninë e Veriut, është liruar nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh. Vlerë e lartë e pasurisë për të cilën asnjëherë nuk u zhvillua asnjë hetim, se prej nga buron kjo pasuri.

Orce Kamçev, është familjar i ish-drejtorit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili para Vitit të Ri, po ashtu u lirua nga paraburgimi me garanci bankare prej gati 11 milionë eurosh. Kamçev, sikur edhe Mijallkov, akuzohen për veprën penale “Parcelat në Vodno”, blerje të paligjshme të tokës për ndërtim. I akuzuari i parë në këtë rast është ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili ndiqet penalisht për përvetësim të 1.3 milion eurove nga donacionet partiake të përdorura për blerjen e parcelave në Vodno, zonë turistike malore në Shkup. Ai ndodhet në paraburgim që nga marsi i vitit 2021, kur u arrestua lidhur me dyshimet se mund të arratisej.

Biznesmeni i afërt me Gruevskin është i dyshuar edhe në një proces tjetër gjyqësor të koduar si “Perandoria”, ku hetohet për krim financiar, konkretisht për pastrim parash përmes kompanive në Maqedoni të Veriut dhe kompanive të regjistruara në vende të huaja. Kamçev është drejtor i kompanisë “ Orka Holding”, të themeluar që nga viti 1990 nga babai i tij.

Kush është Rexhail Qerimi?

Rexhail Qerimi, tashmë i ndjerë, është shembulli më i qartë i asaj se në Maqedoninë e Veriut njeriu vdes jo nga uria por nga padrejtësia. Është viktimë e një rasti të montuar politik, i njohur në publik si rasti “Allfa”.

Kujtojmë se, në parkingun e Fakultetit Matematiko Natyror në Shkup, me një breshëri plumbash nga kallashnikovi, më 26 nëntor të 2008-tës, ishte vrarë polici shqiptar nga njësiti Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi. Por ishin plagosur edhe dy kolegët e tij maqedonas me të cilët kishte qenë në patrullë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm u dënua Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi.

Një dekadë pas vendimit gjyqësorë për ta dënuar Rexhail Qerimi dhe Agim Islamin më burg të përjetshëm, video incizimi i cili ishte prova më e fortë në akuzën e cila i ngarkohej, doli në opinion. Ndonëse Prokuroria Publike, Byroja për ekspertizë ligjore dhe Ministria e Brendshme kishin deklaruar se nuk posedojnë mundësi për zbardhjen e video incizimit, organi akuzës asnjëherë nuk u shpjegua se si Qerimi dhe Islami u identifikuan si autorë të veprës dhe u dënuan me burg të përjetshëm derisa video incizimi nuk ishte zbardhur në faza fotogrametike dhe antropologjike.

Në video incizim pa asnjë ekspertizë vërehen qartazi përmasat trupore të aktorëve që e kanë kryer veprën që janë të ndryshme nga përmasat trupore të dënuarve për kryerjen e kësaj vepre. Përderisa i dënuari i parë me burg të përjetshëm, Rexhail Qerimi, ndërroi jetë duke kërkuar drejtësi, i dënuari i dytë, Agim Islami, po vazhdon të vuajë dënimin deri sa lirinë t’ia dhurojë vdekja apo shpallja e pafajësisë së tij.

Ky është vetëm një rast, nga shumë raste të tjera që aparati shtetëror përdorë metodat e njëjta të montimit ku në çdo rast çuditërisht viktima janë shqiptarët. E kjo nuk ndodhë rastësisht, por ndodhë qëllimit si pasojë e mos faktorizimit të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut. /Zhurnal.mk