Vazhdon konflikti mes prokurores Ruskovska dhe Drejtorisë së Policisë Financiare

Shkup, 20 gusht – Vazhdon konflikti mes prokurores Vilma Ruskovska dhe Drejtorisë së Policisë Financiare. Pasi dje  Ruskovska ka paraqitur ankesë kundër vendimit për suspendimin e saj, ajo në një deklaratë për media ka thënë se në rastin e Drejtorisë së Policisë Financiare nuk janë gjetur prova, sepse nga 300 lëndë të kërkuara, vetëm 30 u janë dorëzuar, shumicën e të cilave nuk i kërkuan fare. Pas kësaj, Drejtoria për Policinë Financiare u përgjigj duke pretenduar se ka vepruar sipas kërkesës dhe përveç 35 rasteve ka siguruar edhe 150 prova të tjera, për të cilat Prokuroria i ka njoftuar me shkresë.

“Nuk kemi gjetur asnjë provë sepse me bastisjen kemi numëruar  saktësisht se cilat lëndë duhet të na dorëzohen. Bëhet fjalë për 250 deri në 300 lëndë, prej të cilave 30 na janë dorëzuar, shumicën e të cilave nuk i kemi kërkuar fare. Pothuajse asnjë nga provat që kemi kërkuar nuk është dorëzuar ende”, tha dje Ruskovska.

Drejtoria e Policisë Financiare i cilësoi pretendimet e tilla të Ruskovskës si të pavërteta. Në njoftimin e dërguar ndaj opinionit, Drejtoria theksoi se me urdhër për bastisje dhe kërkesë për të dhëna janë kërkuar të gjitha kallëzimet penale anonime të dorëzuara në Drejtorinë e Policisë Financiare nga viti 2018 deri në ditën e bastisjes, pra ditën e përgjigjes në kërkesë.

Nga aty, dje kanë sqaruar se në kërkesën për të dhëna u është dhënë një afat prej 10 ditësh për veprim dhe ka filluar të funksionojë nga data 18 korrik 2022. Shtatë ditë pas bastisjes dhe kërkesës, gjegjësisht më 25 korrik, kur Drejtoria e Policisë Financiare lëshoi ​​një njoftim publik me të cilin informonte për bastisjen dhe ankesat e parashtruara për shkak të dyshimeve për keqpërdorime nga Rusovska, në orën 14:00, Drejtoria pranoi një shkresë me të cilën kërkonte që menjëherë të dorëzonte provat dhe dokumentet e grumbulluara deri atëherë.

Drejtoria për Policinë Financiare, siç bënë me dije, në atë moment kishte siguruar 35 prova dhe ato menjëherë i janë dorëzuar Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe janë siguruar 150 prova të tjera, për të cilat  me shkrese eshte njoftuar Prokuroria për Ndjekjen e Krimit te Organizuar  dhe Korrupsionit.

“Në shkresë ndër të tjera thuhet “Sipas nenit 287 paragrafi 2 i Ligjit për Procedurën Penale “Subjektet nga paragrafi (1) i këtij neni obligohen që prokurorit publik t’i sigurojnë të dhënat, njoftimet, dokumentet, provat, llogaritë bankare ose lista që i nevojiten gjatë procedurës. Prokurori publik ka të drejtë të kërkojë të dhëna, njoftime, dokumente, prova, llogari bankare ose lista nga persona të tjerë juridikë dhe nga qytetarët për të cilët me arsye mund të besojë se kanë të dhëna ose informacione të tilla”, dhe duke marrë parasysh raportin nga mbikëqyrja e kryer nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në të cilën në raport thuhet se prokuroret Vilma Ruskovska, Ivana Trajçeva dhe Elizabeta Josifovska janë jo kompetente për të vepruar në rastin konkret RO nr. 155/22, Ju lutemi që me shkrim të na njoftoni në kompetencën e kujt veproni, sipas dispozitave të Ligjit për Prokurorinë Publike  është caktuar lënda RO nr. 155/22 me qëllim që nga Drejtoria e Policisë Financiare  prokurorit  kompetent publik t’i dorëzohen  të dhënat e kërkuara/lëndët dhe njëherit me prokurorin kompetent të  përpilohet procesverbal për pranim-dorëzimin e lëndëve”, theksuan dje nga Drejtoria e Policisë Financiare.

Prokurorja Ruskovska ka paraqitur ankesë kundër suspendimit të saj dje. Në një deklaratë për mediat ajo tha se suspendimin nuk e konsideron suspendim ndaj saj, por suspendim të ligjit dhe suspendim të drejtësisë.

Ruskovska është suspenduar nga prokurori publik republikan pas kallëzimit penal kundër saj nga drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi. Vendimi për suspendim është marrë në bazë të nenit 81 të Ligjit për Prokurorinë Publike.