Dënim me kusht për Vlladimir Todoroviqin dhe gruan e tij për dëshmi të rrejshme në gjykatë

Shkup, 19 gusht – Përshkak se kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe kanë penguar drejtësinë në lëndën “Talir”, ish kryetari i komunës së Qendrës, Vlladimir Todoroviq dhe bashkëshortja e tij sot morën dënime me burg me kusht prej dy viteve, transmeton Zhurnal.

Ata duhet të paguajnë gjithashtu 3000 denarë harxhime gjyqësore.

Të akuzuarit janë pajtuar me prokuroren e Shkupit Elma Sulejman, ndërsa gjykata më vonë këtë e ka pranuar në aktvendim.

Tre gjykatëset, Xheneta Bektoviq, Sllavica Andreevska dhe Verka Petkovska kanë vlerësuar se dënimi me kusht për Todoroviqin dhe bashkëshorten e tij janë të mjaftueshme.

Në aktvendim thuhet se gruaja e Vlladimir Todoroviq në një restorant të Shkupit, në vitin 2020 është takuar me gruan e një dëshmitari tjetër dhe i ka dhënë dy fleta të shënuara me kompjuter e ku përmbajtja ka qenë për atë se çfarë dëshmie duhet të jep personi A.N në debatin kryesor para Gjykatës Penale.

Kjo do të thotë se dëshmitari që e kanë përgatitur ata dy, para gjykatës është dashur të dëshmojë në kundërhstim me atë që është dëshmuar në hetimin para prokurorit publik.

Kjo është hera e dytë që ish kryetari i komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq të shmangë gjykim direkt./Zhurnal.mk