Mbledhje solemne dhe mirënjohje për punonjësit e Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes
Shkup, 17 gusht – Në kuadër të aktiviteteve me të cilat Armata feston 30 vjetorin e saj, sot është zhvilluar mbledhje solemne e të punësuarve të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Në takim, siç informoi Ministria e Mbrojtjes u ndanë një numër i madh çmimesh për rezultatet e arritura dhe kontributin në Armatë. Në gradë më të lartë u ngritën pjesëtarët e Armatës që i plotësojnë kushtet. Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-nënkoloneli Vasko Gjurçinovski u ndau mirënjohje përfaqësuesve të institucioneve me të cilat bashkëpunojnë Ministria e Mbrojtjes dhe Shtatmadhoria.
Ministrja e Mbrojtjes, Petrovska theksoi se përvjetori i sotëm nuk është vetëm një numër, por që 30 vjet Armatë do të thotë 30 vjet siguri, dhe shtetësi. Ajo nënvizoi se çdo pjesëtar i Armatës, çdo punonjës në Mbrojtje ka merita për krijimin e një Armate me imazh të njohur për profesionalizëm, disiplinë, motivim dhe sukses dhe që me energjinë dhe përkushtimin e tyre arritëm qëllimin tonë kryesor strategjik – anëtarësimin në NATO.
Aftësitë e Armatës, siç tha ajo, nuk janë vetëm fjalë në letër, por aftësi në vepër.
“Armata në vepër tregoi se është e aftë dhe e motivuar. Se funksionon sipas standardeve më të larta të NATO-s. Batalioni ynë i këmbësorisë është njësia e parë e madhe që është vlerësuar së fundmi në krahasim me standardet e vlerësimit të gatishmërisë luftarake të NATO-s. Mund të ecim me kokën lart pasi kemi dëshmuar se jemi në rrugën tonë të duhur për të përmbushur të gjitha objektivat e përcaktuara të NATO-s. Kjo në radhë të parë është meritë e juaja”, deklaroi ministrja Petrovska dhe shtoi se ministria investon në kuadër, pajisje dhe modernizim që e forcojnë Armatën.
Në kuadër të ceremonisë nga ana e komandantit të Gardës kombëtare të Vermontit, gjeneralmajori Gregori Najt i cili mori pjesë në solemnitetin si pjesë e një vizite zyrtare dyditore në shtet, gjithashtu u ndanë mirënjohje edhe për pjesëtarët e Armatës për angazhimin e tyre në kryerjen e detyrave gjatë stërvitjes më të madhe ndërkombëtare “Swift Response” që u realizua këtë pranverë në Poligonin ushtarak Krivollak.
Tubimi është pjesë e aktiviteteve finale të planifikuara për shënimin e 30 vjetorit të formimit të Armatës gjatë së cilës në mbrëmje me fillim nga ora 18:30 në stadiumin ushtarak në Parkun e Qytetit në Shkup do të mbahet manifestim i hapur për qytetarët.
Manifestimi qendror me rastin e shënimit të përvjetorit do të mbahet nesër më 18 gusht, në kazermën “Ilinden” në Shkup. Në garnizonet e tjera ku ndodhen komandat dhe njësitë e Armatës ceremonitë ushtarake janë zhvilluar gjatë ditës së sotme.

