“Medalje për merita” për presidentin Pendarovski nga Garda Kombëtare e Vermontit
Shkup, 17 gusht – Bashkëpunimi ndërmjet Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Gardës Kombëtare të Vermontit, i cili realizohet përmes trajnimit të pjesëtarëve të dy ushtrive, realizimit të stërvitjeve të përbashkëta, si dhe pjesëmarrjes së përbashkët në misionet paqeruajtëse, ishte temë e bisedës në takimin e sotëm të presidentit Stevo Pendarovski me komandantin e Gardës Kombëtare të Vermontit, gjeneralmajor Gregori Najt.
“SHBA-ja është mbështetësi ynë kryesor që nga pavarësia jonë e deri më sot, dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, që filloi me themelimin e forcave tona të armatosura në vitin 1992, vazhdimisht po përmirësohet dhe thellohet”, theksoi në takim presidenti Pendarovski.
Si konfirmim i bashkëpunimit të shkëlqyer, theksohet edhe pjesëmarrja e përbashkët në stërvitjen ushtarake “Përgjigje e shpejtë 22” në Krivollak, e sponsorizuar nga Ushtria amerikane në Evropë së bashku me forcat e gjashtë anëtarëve tjera të NATO-s, e në të cilën kanë marrë pjesë rreth 4.600 ushtarë.
“Në takim u diskutua edhe për Deklaratën për partneritet dhe bashkëpunimit strategjik të vitit 2008 dhe për marrëveshjet e tjera juridike dypalëshe, të cilat ofrojnë një kuadër të gjerë bashkëpunimi, dhe u theksua se ka potencial për thellimin e partneritetit strategjik”, thuhet në komunikatën e Kabinetit të presidentit.
Takimit i parapriu një ceremoni në Kabinetin e presidentit, në të cilën gjeneral-majori Gregori Najt i dhuroi presidentit Pendarovski një “Medalje për merita” për arritje të veçanta në periudhën nga 12 maji i vitit 2019 deri më 9 korrik 2022, si një përkrahës i shquar dhe i rëndësishëm i programit shtetëror për partneritet me Gardën Kombëtare të Vermontit, thuhet në kumtesë.

