U lansua platforma e parë rajonale për e-tregti

Shkup, 26 maj – Krahasuar me vendet nga Ballkani Perëndimor, Maqedonia e Veriut është prapa Serbisë dhe Kosovës, ndërkaq para Bosnjë e Hercegovinës dhe Malit të Zi në përqindje të popullatës e cila blen onlajn. Krahasuar me vendet fqinje, Kosova është në vend të parë në Evropë apo 77 për qind nga blerësit onlajn që blejnë veshmbathje onlajn, më pas Mali i Zi me 71 për qind, përderisa nën mesataren evropiane janë Maqedonia e Veriut me 57 për qind, BeH me 56 për qind dhe Serbia me 52 për qind. Këto janë vetëm disa nga faktet afariste dhe informatat lidhur me zhvillimin e biznesit me e-tregti të cilat prej sot zyrtarisht janë të kapshme në platformën e parë rajonale për e-tregti “E-tregti për të gjithë” – ecommerce4all.eu.

Ueb-platforma rajonale zhvillohet nga ana e Asociacionit për e-tregti të Maqedonisë si implementues kryesor në bashkëpunim me asociacionet për e-tregti dhe organizatat nga industritë e ngjashme nga rajoni i CEFTA-s.

Nga AETM informojnë se platforma, e cila paraqet zgjerim rajonal të nismës së vendit “Ecommerce4All”, prej sot do të jetë e kapshme edhe në tregjet e CEFTA-s, përkatësisht në Serbi, BeH, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Moldavi.

Platforma, gjatë periudhës së ardhshme do të sendërtohet me katër module të tjera. prej tyre, tre modulet e para i mbulojnë aspektet kyçe të zhvillimit të biznesit në e-tregti, siç janë rregullative juridike për e-tregti, pagesa dhe dërgesa. Plotësisht, platforma do të pasurohet edhe me një modul shtesë – rrëfime të suksesshme. Secili prej këtyre moduleve do të përmbajë informata relevante, specifike për tregun konkret të CEFTA-s, si dhe udhëzime. doracakë, dokumente lidhur me temën dhe video prezantime.

Ueb-platforma është e kapshme në gjuhën angleze dhe gjuhën lokale për secilin treg.

Kryetarja e AETM-së, Nina Angellovska, thekson se ky është projekti i parë rajonal lidhur me e-tregti në të cilin asociacionet për e-tregti dhe organizatat e tjera nga rajoni bashkëpunojnë bashkarisht.

Zhvillimi i platformës “Ecommerce4All” mbështetet nga projekti për tregti të jashtme i Fondit të hapur rajonal implementuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) në emër të bashkimit Evropian dhe Minsitrisë federale gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (BMZ).