Shkarkohet drejtoresha e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Teuta Llalla
Shkup, 12 maj – Drejtoresha e shkollës së mesme “Kiril Pejçinoviq” nga Tetova, Teuta Llalla ka informuar mediat se sot ka marrë vendimin për shkarkim nga kryetari i Komunës Bilal Kasami, për të cilin ka paralajmëruar se do ta ankimojë. Ajo theksoi se vendimi bazohet në një raport revizor për të cilin mendon se është tendencioz me qëllim shkarkimin e saj.
“Kryetari i komunës sot ka marrë vendim që të më shkarkojë nga funksioni drejtoreshë e gjimnazit të Tetovës. Të gjitha këto i konsideroj të kundërligjshme dhe do të vazhdoj të gjitha procedurat që e vërteta të zbardhet. Mendoj se revizioni ka qenë shumë selektiv ndaj meje”, tha Teuta Llalla.
Nga Komuna e Tetovës informojnë se këshili i shkollës në mbledhje e ka shqyrtuar raportin e revizionit dhe pasi ka konstatuar shkelje të shumta ka propozuar shkarkimin e drejtoreshës dhe e ka njoftuar kryetarin e Komunës së Tetovës.
“Sipas raportit të lëndës, gjatë procedurës janë konstatuar shkelje të shumta financiare që kanë dëmtuar buxhetin e shkollës dhe kanë penguar mbarëvajtjen normale të procesit arsimor. Pas marrjes së propozimit të këshillit të shkollës së mesme me Nr. 03-201/1 nga 11.05.2022, kryetari i komunës ka vepruar konform dispozitave ligjore”, njoftoi zyra për marrëdhënie me publikun e Komunës së Tetovës.
Komuna njoftoi se përmes avokatit të autorizuar kanë nisur procedurë për konstatimin e shkeljeve ligjore të kryera nga drejtoresha.

