Ahmeti: Nuk mund të përparojmë me bllokada e me bojkote

Shkup, 6 maj – Bllokada dhe bojkote nuk janë kategori për përparimin e demokracisë, e cila po përparohet me debate dhe kompromise, deklaroi sot lideri i BDI-së, Ali Ahmeti duke i komentuar paralajmërimet për bllokadën e Kuvendit nga ana e VMRO-DPMNE-së.

“Mendoj se ne jemi shtet i cili ka avancim në këto vlera. Nuk mendoj se bojkoti dhe bllokadat do të na shërbejnë për të shkuar përpara”, shtoi Ahmeti, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas promovimit të librit “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” në organizim të Komunës së Çairit dhe në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve.

Duke u përqendruar në kërkesën e kryetarit të VMRO-DPMNE-së për takimin e liderëve, Ahmeti theksoi se nuk ka asgjë të keqe në takime, me kusht që ata të mos kushtëzohen edhe me imponimin e temave, por për disa çështje të caktuara dhe të rëndësishme lidhur me avancimin e politikave të shtetit.

“Me këtë rast dua të theksoj se është me rëndësi të ketë takim dhe konsultime si të mbyllet çështja me Bullgarinë, kontest i cili nuk pengon drejt avancimit dhe fillimit të negociatave me BE-në. Sigurisht nuk nevojitet konsensus politik dhe etnik në shtet. Zgjidhja e këtij problemi i përforcon stabilitetin, paqen, sigurinë dhe relaksimin e marrëdhëniet midis fqinjëve”, theksoi Ahmeti.

Ai potencoi se shumë herë deri më tani ka përsëritur se paqja, stabiliteti dhe siguria e një shteti varen edhe nga marrëdhëniet e ndërtuara me fqinjët, sepse e keqja së pari vjen nga fqinjët.

“Për këtë situatë mund të ketë debat dhe takim. Por, jo edhe për bllokada, sepse bllokadat dhe bojkoti do të thonë pengesë në avancimin e proceseve të mëtutjeshme të shtetit”, deklaroi lideri i BDI-së.