Spasovski: Pa analizë të thellë dhe reforma reale, LSDM nuk do ta rikthejë besimin e qytetarëve
Shkup, 19 maj medial.mk/ – Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e LSDM, Oliver Spasovski, deklaroi se partia duhet të bëjë një analizë serioze dhe të dhimbshme për arsyet që çuan në rënien drastike të besimit te qytetarët, nëse dëshiron ta rikthejë mbështetjen.
Në një intervistë për 4TV, Spasovski tha se LSDM ka bërë lëshime të mëdha, duke filluar nga politikat kadrovike e deri te mosrealizimi i pritjeve për drejtësi dhe reforma të thella në sistemin gjyqësor.
“Dikush mund të thotë se faktor ishte partneri i koalicionit dhe kjo është e vërtetë. Por mendoj se edhe vetë ne, përmes politikave kadrovike dhe disa vendimeve që u morën, ndikuam në këtë rezultat. Më së shumti mungoi drejtësia, reforma më e madhe në sistemin gjyqësor dhe një mënyrë tjetër funksionimi. Qytetarët e prisnin këtë pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm, ndërsa pritjet e mëdha gjithmonë sjellin zhgënjime të mëdha”, deklaroi Spasovski.
Ai vlerësoi se problemi nuk qëndron vetëm te një subjekt politik, por në të gjithë sistemin politik në Maqedoni, i cili sipas tij prej vitesh funksionon mbi bazën e klientelizmit dhe interesave partiake.
“Sipas meje, të gjitha partitë, pa përjashtim, vuajnë nga e njëjta sëmundje – klientelizmi. Zgjidhen problemet e individëve, bëhen pazare me punësime dhe caktohet kush në cilin funksion do të ulet. Kjo sjell pikë politike afatshkurtra, por afatgjatë e shkatërron shtetin”, u shpreh ai.
Spasovski theksoi se shumica e qytetarëve nuk janë të përcaktuar partiakisht dhe pikërisht ata e japin verdiktin përfundimtar në zgjedhje. Ai potencoi se shteti duhet të ndalojë së funksionuari si mekanizëm për plotësimin e interesave të ngushta partiake.

