Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë do të tregojë se ka përparim, ka përshpejtim të reformave

Shkup, 14 maj medial.mk/ – Ka përshpejtim të procesit të reformave krahasuar me raportin e vitit të kaluar për progresin dhe sinqerisht shpresoj që raporti i këtij viti të tregojë se është bërë përparim dhe se do të ketë rezultate, deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, gjatë vizitës në Krushevë, duke iu përgjigjur një pyetjeje gazetareske për raportin e progresit të Maqedonisë në reforma.

Sipas Rokasit, aktualisht është në përgatitje Raporti i Komisionit Evropian, i cili duhet të finalizohet në shtator, ndërsa deri në fund të qershorit është afati për hapat dhe masat që duhet t’i zbatojnë Qeveria dhe ministritë.

– Ajo që mund të theksohet në raport është se deri tani është bërë punë shumë e madhe dhe e vështirë. Jam i bindur se ky do të jetë një raport që do të tregojë përparim krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Por ajo që është më e rëndësishme është agjenda e reformave. Bashkimi Evropian ka bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë dhe ministritë për të bërë përparim në disa fusha. Sa i përket disa hapave apo masave që duhej të ishin zbatuar deri tani nga Qeveria dhe ministritë, afati i tyre përfundon në fund të qershorit. Megjithatë, në përgjithësi, krahasuar me raportin e vitit të kaluar, mund të thuhet se ka përshpejtim të procesit të reformave, prandaj sinqerisht shpresoj që raporti i këtij viti të tregojë se është bërë përparim dhe se do të ketë edhe rezultate – deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas.

Leave a Reply