Prokuroria hap hetim për kryetarin e Gjykatës së Gostivarit dhe një administrator, si i zhvatën 8 mijë euro
Gostivar, 14 maj medial.mk/ – Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur hetim ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe një administratori gjyqësor, nën dyshimin për marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy të dyshuarit gjatë periudhës janar 2023 – 2025 dyshohet se, duke shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e tyre zyrtar, kanë kërkuar dhe pranuar gjithsej 8.000 euro, me qëllim ndërhyrjen te gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Gostivarit dhe Gjykatës së Apelit në Gostivar, lidhur me një kontest civil.
Hetimi sqaron se fillimisht është kërkuar një shumë prej 5.000 eurosh për ndërhyrje te një gjyqtar në Gjykatën e Gostivarit, me qëllim marrjen e një vendimi për përsëritjen e procedurës në një lëndë për të cilën më herët ishte marrë aktgjykim refuzues. Pasi kjo nuk është realizuar, sipas Prokurorisë, është kërkuar edhe një shumë shtesë prej 3.000 eurosh për të ndikuar te gjyqtarët e shkallës së dytë, për shfuqizimin e vendimit që nuk lejonte përsëritjen e procedurës.
Në rast është përfshirë edhe administratori gjyqësor, i cili dyshohet se ka pranuar 800 euro shtesë për kryerjen e një veprimi zyrtar lidhur me një dokument të dorëzuar nga një përmbarues.
Prokuroria thekson se të dyshuarit, në bashkëkryerje dhe me dashje, kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre real dhe të supozuar për të kërkuar dhe pranuar ryshfet, me qëllim ndërhyrjen në vendime gjyqësore.
Për të dy personat e përfshirë, Prokuroria ka kërkuar masa kujdesi, ndërsa procedura hetimore është në vijim.

