MK25 dhe Mexhiti diskutojnë për zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e diasporës
Shkup, 14 maj medial.mk/ – Bashkëkryetari i Vlen dhe njëherit kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti realizoi një takim me përfaqësuesit e MK25, Mike Zafirovski, Nikica Mojsovska-Brazhevska dhe Arben Jusufi, ku u diskutua për investimet, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit me diasporën.
Në takim u theksua rëndësia e mbështetjes së kompanive të udhëhequra nga diaspora për të investuar në Maqedonia e Veriut, si dhe krijimi i një klime më të favorshme biznesi që do të mundësojë angazhim më të madh të mërgatës në vend.
Mexhiti vuri theks të veçantë te nevoja për uljen e pengesave burokratike dhe rritjen e efikasitetit institucional, sidomos në nivel lokal, me qëllim lehtësimin e proceseve për investitorët dhe bizneset.
Po ashtu, bashkëbiseduesit diskutuan për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare dhe ndërtimin e urave më të forta bashkëpunimi me institucionet vendore, duke vlerësuar se diaspora mbetet një nga potencialet më të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Nga takimi u vlerësua se partneriteti me diasporën dhe krijimi i kushteve më të mira për investime janë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe hapjes së mundësive të reja për qytetarët.

