Sali dhe VLEN thonë se reformat në arsim të lartë po japin rezultate konkrete
Shkup, 14 Maj, medial.mk/ – Reformat në arsimin e lartë ishte temë bisede sot e mbajtur në një takim në universitetin Nënë Tereza në Shkup në të cilën pjestarët e qeverisë nga radhët e VLEN thanë se masat e filluara dhe rezultatet po bëhen në praktikë.
Zëvendës-Kryemnistri Bekim Sali u tha të pranishmëve se pengesat juridike me të cilat është përballur Universiteti Nënë Tereza “tashmë janë tejkaluar, përfshirë edhe sfidat që lidhen me Statutin e Universitetit, duke hapur rrugë për zhvillim të mëtejshëm institucional, ngritje të cilësisë në arsim dhe forcim të rolit të universitetit në shoqëri.”
Ai tha se qeveria “mbetet i palëkundur për të mbështetur arsimin e lartë dhe zhvillimin e infrastrukturës arsimore e shkencore, për të krijuar kushte më të mira për studentët dhe stafin akademik, si dhe për të ndërtuar institucione të forta që kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe në perspektivën e të rinjve tanë.”
Lidhur me të njëjtën çështje VLEN tha në një komunikatë tjetër se reformat në arsimin e lartë po japin “rezultate konkrete”.
„Fakti që sfidat ligjore të Universitetit Nënë Tereza, përfshirë edhe çështjet që lidhen me Statutin, tashmë janë tejkaluar, dëshmon se reformat nuk kanë mbetur vetëm në letër, por po zbatohet një model funksional që garanton stabilitet, cilësi dhe autonomi universitare,” tha VLEN.
Partia në pushtet tha se arsimi i lartë “mbetet prioritet, me fokus në përmirësimin e kushteve për studentët dhe stafin akademik, si dhe në ndërtimin e institucioneve të forta që i shërbejnë zhvillimit të vendit.”
„Reformat e ndërmarra sjellin ndryshime konkrete, përfshirë heqjen e H-indeksit si kriter bazë për vlerësimin e kuadrit akademik, garantimin e sigurisë në vendin e punës dhe krijimin e më shumë hapësirave për zhvillim profesional. Në këtë qasje, studenti mbetet në qendër, ndërsa universiteti forcohet si themel i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik,” tha VLEN. / medial.mk/

