PSD konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhje, pesë parti heqin dorë nga gara

Prishtinë, 7 maj medial.mk/ – Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot, më 7 maj në orën 24:00, përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Kosovë për të njoftuar KQZ-në lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhje, si dhe për formimin e koalicioneve.

Sipas tij, këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që janë aktualisht pjesë e regjistrit të partive politike në Republikën e Kosovës.

Deri në mesditën e sotme, KQZ ka pranuar njoftim për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, ndërsa 5 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen. Po ashtu, është regjistruar edhe një koalicion i përbërë nga dy parti politike.

Ndër partitë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë, mes të tjerash, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Srpska Lista, Partia Socialdemokrate, si dhe një sërë subjektesh të tjera politike shqiptare dhe të komuniteteve joshumicë.

“Deri më tani (e enjte, 7 maj 2026, ora 12:00) KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 20 parti politike, mospjesëmarrje nga 5 parti politike dhe 1 koalicion i përbërë nga 2 parti politike. Partitë politike që deri në këtë kohë kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; dhe 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.”, tha Elezi për Reëprteri.net.

Ndërkohë, disa parti kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje, përfshirë Partinë Demokratike të Unitetit, Ballin Kombëtar të Kosovës dhe Partinë e Drejtësisë.

“Partitë politike që deri më tani kanë njoftuar mospjesëmarrjen në zgjedhje janë: 1. Partia Demokratike e Unitetit; 2. Balli Kombëtar i Kosovës; 3. Lëvizja Qytetare Vatra; 4. Bashkimi për Ndryshim Anamorava dhe 5. Partia e Drejtësisë0”, tha ai.

Po ashtu, është konfirmuar edhe formimi i një koalicioni ndërmjet Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, i njohur si “Koalicija VAKAT”.

KQZ ka theksuar se procesi po zhvillohet sipas afateve ligjore dhe procedurave në fuqi.

Leave a Reply