Me 64 vota “për”, 15 “kundër” kuvendi miratoi Propozim-ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë
Shkup, 07 maj, medial.mk/ – Me 64 vota “për”, 15 “kundër” dhe asnjë “abstenim”, Kuvendi miratoi Propozim-ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili është pjesë e Agjendës Reformuese.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se me zgjidhjen e propozuar ligjore po vendosen risi thelbësore të orientuara drejt forcimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës në punën e Këshillit dhe të prokurorisë publike në tërësi.
“Reformohet procedura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Vendosen kritere të qarta dhe transparente. Garantohet profesionalizmi, përvoja dhe integriteti i tyre, sipas modelit të kritereve të parashikuara në Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor. Në këtë mënyrë garantohet zgjedhja e kandidatëve më cilësorë. Vendoset obligimi për arsyetim të plotë dhe të argumentuar të vendimeve për zgjedhje, avancim dhe përgjegjësi disiplinore të prokurorëve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, përcjell medial.mk/.
Nga Ministria e Drejtësisë shtojnë se po vendoset edhe zbatimi i qëndrueshëm i sistemit të meritës, përkatësisht merit-sistemit, gjatë zgjedhjes, avancimit dhe shkarkimit të prokurorëve publikë.
“Forcohet transparenca e Këshillit përmes obligimit për publikimin e vendimeve dhe raporteve, mbajtjes publike të seancave, transmetimeve të drejtpërdrejta dhe informimit të opinionit. Vendosim një sistem të qartë dykallësh në procedurat disiplinore. Këshilli vendos si organ i shkallës së dytë, ndërsa kundër vendimeve të tij lejohet mbrojtje gjyqësore. Me këtë sigurohet mbrojtje e plotë e të drejtave të prokurorëve publikë, që është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rekomandimeve të Komisionit Evropian”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Me propozim-ligjin rregullohet në mënyrë të detajuar edhe procedura për shkarkimin e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Këshillit, me afate dhe kritere të precizuara, si dhe forcohet roli i Këshillit në procedurën për zgjedhjen dhe shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë.
Po ashtu, Këshilli i Prokurorëve Publikë mund të paraqesë iniciativë për shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë në Kuvend.
“Ligji është pjesë e procesit më të gjerë reformues dhe është harmonizuar me standardet dhe rekomandimet evropiane, gjë që paraqet një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

