70-vjeçari nga Struga ndërron jetë në autobus gjatë kthimit nga Gjermania

70 vjeçari nga Struga ka humbur jetën tragjikisht në autobus në Serbi, teksa po udhëtonte nga Gjermania drejt Maqedonisë së Veriut.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 10:00, pranë vendbanimit Mihajllovac në Serbi.

Autobusi kishte ndaluar në një parking pranë një restoranti në autostradën Beograd–Nish, kur bashkëudhëtarët vunë re se i moshuari nuk po ndihej mirë. Ata tentuan ta ndihmojnë dhe menjëherë kërkuan ndihmë mjekësore.

Ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën në vendngjarje së bashku me policinë, por përpjekjet për reanimim ishin të pasuksesshme. Viktima ishte 70 vjeç dhe, sipas raportimeve të para, shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende. Trupi i të ndjerit është dërguar për autopsi.

Autoritetet serbe kanë hapur hetim për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.