582 raste aktive me coronavirus në Kosovë, qytetarëve u bëhet apel të vaksinohen
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, bën të ditur se në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 582.
MSH njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.665, ndërsa nga fillimi i pandemisë nga coronavirusi kanë vdekur 2,266 persona.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë mbi 428.818 doza të vaksinës.
Deri më sot mbi 146.215 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Institucionet shëndetësore, në vazhdimësi po apelojnë për vaksinim kundër COVID-19, duke vlerësuar se është arma e vetme për të mposhtur pandeminë.
Madje, tashmë në Kosovë është prezent edhe varianti “Delta” i coronavirusit, i cili sipas ekspertëve po përhapet më shpejtë sesa variantet tjera të COVID-19.
Një ditë më parë në seancën e Kuvendit të Kosovës, edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar nga qytetarët t’i përgjigjen thirrjes për vaksinim.
Ai tha se synim i tyre mbetet imunizimi i 60 për qind të popullatës deri në fund të vitit.