Ra ligji për nënshtetësi dhe u bindëm se gjyshet tona janë të rrezikshme si “Indiana Xhonsi” për sigurinë e Maqedonisë

Shkup, 4 janar – Po bëhen gati gjashtë muaj që u miratuan ndryshimet e Ligjit për nënshtetësi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimet e këtij ligji synonin zgjidhjen e problemit të mijëra qytetarëve, kryesisht shqiptarë, të cilët edhe 30 vjet nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, nuk kishin arritur të pajisen me shtetësi. Ligji u prit me gëzim të madh në opinion dhe si shpresë se më nuk do të ketë pengesa, siç kishte më herët.

Kaluan gjashtë muaj nga miratimi i Ligjit, problemet vazhdojnë!

Ligji i ri për shtetësinë u miratua nga Kuvendi në korrik të vitit 2021. Ky ligj lehtëson procedurat e marrjes së nënshtetësisë, sidomos për qytetarët që më shumë se 30 vite nuk kanë mundur të marrin shtetësi.
Ata të cilët jetojnë në Maqedoni që para pavarësisë së shtetit, mjaftojnë të dorëzojnë një dokument si dëshmi, qoftë certifikatë të lindjes, dëftesë, dokument për tatim të paguar, letër njoftim ose pasaportë të IRFJ-së, librezë shëndetësore e dokumente të ngjashme.
Ligji i ri bën lehtësime edhe për personat që e kërkojnë shtetësinë pas kurorëzimit, të cilët nuk duhet të dorëzojnë si më parë dokument për burim të vazhdueshëm të mjeteve financiare dhe dokument për pronë banimi.

Ndryshe thotë Ligji, ndryshe tregon realiteti

Edhepse kështu shkruan në letër, sërish po dëshmohet se kur bëhet fjalë për çështje që janë kryesisht në interes të shqiptarëve, as Kushtetua as Ligji ndonjëherë nuk janë garanci e mjaftueshme se ata do t’i gëzojnë privilegjet.
Shembull konkret është familja Dalipi Nga Kumanova. Islam Dalipi dhe dy fëmijët e tij posedojnë nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut, por bashkëshortja e tij, tash 10 vite nuk mund të sigurojë shtetësinë, përkundër miratimit të ligjit që parasheh lehtësimin e procedurave. Ajo ende konsiderohet si e rrezikshme për shtetin.
Nuk ka numra të saktë dhe të besueshëm, por në situatë të ngjashme si ajo e familjes Dalipi nga Kumanova flitet të jenë së paku edhe 8 mijë persona të tjerë.
Në mesin e tyre ka edhe gjyshe e gjyshër të moshës 70 e 80 vjeçare. Të sëurë e të shtrirë në shtrat, ata ende konsiderohen elemente të rrezikshme për sigurinë e Maqedonisë së Veriut. Për këtë arsye u refuzohet shtetësia. Shtetësi e pasaportë të vendit tonë mund të marin kriminelët me “famë” botërore, mirëpo disa shqiptarrë ende paraqesin rrezik edhe pse janë në moshë 70 e 80 vjeçare. Hajde shtet, hajde!