370 shoferë të sanksionuar për ngasje të shpejtë

Shkup, 25 maj – Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se gjatë ditës së djeshme, janë shqiptuar 370 sanksione për ngasje të shpejtë, prej të cilëve 110 për ngasje të shpejtë në vend të banuar derisa 260 jashtë vendeve të banuara.

“Gjatë ditës së djeshme (24.05.2022) Ministria e Punëve të Brendshme ka zbatuar kontroll të intensifikuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për sanksionimin e automjeteve që lëvizin me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar, me ç’rast janë sanksionuar 370 shoferë”, thonë nga MPB-ja.

Prej atje, informojnë se nga shoferët e sanksionuar, 32 kanë lëvizur me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar dhe gjashtë automjete me shpejtësi mbi 70 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar. Kështu, 110 vozitës e kanë tejkaluar shpejtësinë në vend të banuar, kurse 260 jashtë vendeve të banuara.