30 ditë paraburgim për 27 vjeçarin nga Çairi, gjuajti me armë në dasëm

Shkup, 6 gusht – Një nëpunës policor i Njësitit për tregti të palejuar me drogë dhe armë në kuadër të SPB Shkup dje rreth orës 8:00 në rajonin e Çairit e ka privuar nga liria J.A. (27) nga Shkupi, për shkak të dyshimit se ka kryer vepër penale “përpunim të palejuar, mbajtje dhe tregtimi me armë ose materie shpërthyese”, të ndëshkueshme sipas nenit 396 të Kodit Penal.
Siç informoi MPB, pas masave të ndërmarra paraprakisht është përcaktuar se J.A. ka shtënë me armë zjarri në një aheng familjar, me çrast me urdhrin e gjykatësit të procedurës paraprake është kryer bastisje në shtëpinë e tij ku është gjetur municion të cilin e ka poseduar në mënyrë të paligjshme.
J.A. ka dalë përpara gjykatësit të procedurës paraprake, me ç’rast i është caktuar masë paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh.