‘283 mln euro vjedhje’/ Berisha: Veliaj shkeli çdo ligj për mega-aferën

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se vetëm vjedhja në inceneratorin e Tiranës shkon në 283 milionë euro. Sipas tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj shkeli çdo ligj për këtë mega-aferë.
“Edi Rama është koka e Meduzës e kësaj afere të tmerrshme. Në rastin e inceneratorit të Tiranës, në shkelje të plotë, ai firmos bonus 8 pikë avantazh për kompaninë që u përdor për të gjitha vjedhjet.
Edi Rama ka pranuar se ka firmosur në mënyrë të paligjshme, por ka mohuar se njihte Gugalen, Zoton dhe Mërtirin, në një kohë kur në ligjeratën, apologjinë që i bënte vjedhjes së tij për inceneratorin e Elbasanit, ata ishin më të rëndësishmit në sallë. Pra, ky është Edi Rama në raport me vjedhjen.
Duhet të informoj qytetarët se vjedhja në inceneratorin e Tiranës shkon, sipas KLSH, në 283 milionë euro”.
“Madhor në këtë aferë është kreu i Bashkisë së Tiranës është Erion Veliaj. Thashë edhe njëherë, djegësi i Tiranës shkon në 283 milionë euro vjedhje.
Erion Veliaj nuk ka lënë ligj pa shkelur për të bërë realitet vjedhjen monstruoze me Edi Ramën. Ndaj gazetarë, ju bëj thirrje, harrojeni fjalën korrupsion, por të përdorim fjalën vjedhje, se ky është përkthimi i saktë i kësaj fjale në gjuhën shqipe.
Për të vjedhur Erion Veliaj, një vepër për të cilën duheshin firmat e të gjitha bashkive të qarkut të Tiranës, e ka firmosur vetëm ai, në kundërshtim me çdo ligj. I papërmbajtur në vjedhje.
Pa pyetur Këshillin Bashkiak, ai firmos për financimin prej 90 milionë euro të djegësit të Tiranës. Ai firmos edhe penalitete për bashkitë e tjera, nëse nuk u përgjigjen me ngarkesat e plehrave kompanisë së tij dhe Edi Ramës.
Erion Veliaj, prej pesë vitesh, u merr qytetarëve të Tiranës, pa TVSH, 28 euro për ton mbetjesh. Në një kohë kur kontrata e firmosur me kompaninë Gugalja-Rama-Veliaj, thotë se plehrat për depozitim do paguhen me 12 euro toni.
Gjer sot, as edhe një ton nuk është djegur, pasi djegësi nuk ekziston. Por në këto 5 vite, Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë plaçkitur shqiptarët e kësaj zone, duke i detyruar të paguajnë për çdo ton të depozituar në fushën e Sharrës, minierën e tyre të floririt, 28 euro pa TVSH”.