Zyrtarja e FAO-s: Deklarata e Kunming-ut çel një epokë të re në ruajtjen e biodiversitetit

Deklarata e Kunming-ut çon në një epokë të re për ruajtjen e biodiversitetit dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve, tha në një intervistë Maria Helena Semedo, zëvendësdrejtore e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Deklarata u miratua javën e kaluar gjatë mbledhjes së 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës për Diversitetin Biologjik (COP15) të mbajtur në Kunming të provincës Yunnan në Kinën Jugperëndimore.

Semedo u shpreh se konferenca historike u mbajt në një kohë veçanërisht kritike, kur njerëzimi përballet me një krizë të trefishtë planetare: klimatike, të humbjes së biodiversitetit dhe ndotjes.

“Kjo mbledhje historike është një mundësi e rëndësishme globale për t’iu përgjigjur urgjentisht sfidave globale, duke përfshirë rritjen e pasigurisë ushqimore, varfërisë dhe pabarazisë, veçanërisht ndër më të rrezikuarit, që vjen nga degradimi i shërbimeve tona lidhur me biodiversitetin dhe ekosistemin,” theksoi Semedo.

Ajo shtoi se Deklarata e Kunming-ut, arritja kryesore e COP15, “do të udhëheqë veprimet tona gjatë dekadave të ardhshme, teksa palët në konventë angazhohen të miratojnë dhe zbatojnë kuadrin global të biodiversitetit pas vitit 2020, një plan ambicioz që integron biodiversitetin në të gjithë procesin e vendimmarrjes, e vë theksin në pjesëmarrjen e plotë dhe efektive të të gjitha palëve të interesuara e të bashkësive vendore dhe synon të shpejtojë e të shtojë mbështetjen financiare e teknike. “