Zvicra nuk lejon eksportin e armëve të saj në Ukrainë

Sekretariati shtetëror zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) hodhi poshtë kërkesën e Gjermanisë në lidhje me eksportin e municioneve zvicerane në Ukrainë.

Zëdhënësi i SECO Fabian Mayenfisch shpjegoi për të përditshmen “Sontagszeitung” se institucioni mori dy pyetje nga Gjermania në lidhje me dërgimin e municioneve të marra nga Zvicra në Ukrainë.

Gjermania prej kohësh refuzon dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë dhe sipas mediave zvicerane, arsyeja është se gjermanët nuk mund të dorëzojnë municion për mjetin e blinduar luftarak Marder, të cilin Ukraina e dëshiron.

Përkatësisht, prodhues i Marder është koncerni gjerman “Rheinmetall”, ndërsa municionin e prodhon fabrika e saj në Zvicër.

SECO refuzon të përcjellë municionin, i cili prodhohet në Zvicrën neutrale, në Ukrainë.

Të gjitha kërkesat e Berlinit u refuzuan, duke treguar neutralitetin e vendit.

Ky qëndrim i Bernës irritoi autoritetet gjermane, politikanët e të cilëve nga radhët e të Gjelbërve, siç bëri Mariluise Beck, akuzuan Zvicrën si bashkëpërgjegjëse për faktin se Gjermania nuk mund t’i dorëzojë Ukrainës armë të rënda.