Zvicra kërkon bisedime të reja me BE-në për përmirësimin e raporteve

Presidenti i Zvicrës, Ignazio Cassis, dëshiron të përmirësojë raportet me Bashkimin Evropian dhe kërkoi një paketë të re marrëveshjesh dypalëshe. Ai tha se beson që vendi i tij duhet të afrohet më pranë bllokut evropian.

Vite bisedimesh që kishin për qëllim ta afronin Zvicrën më pranë tregut të përbashkët të BE-së dështuan në majin e vitit të kaluar, kur Qeveria zvicerane hoqi dorë nga një draft-traktat i vitit 2018 që kishte për qëllim të forconte lidhjet me partnerin kryesor tregtar.

Brukseli për një dekadë po tenton që ta shtyjë përpara këtë traktat në mënyrë që Zvicra të miratojë rregullat e tregut të përbashkët të bllokut. Po ashtu ky traktat besohej se mund të ofronte një zgjidhje efektive të një sërë mosmarrëveshjesh.

Cassis, i cili po ashtu mban postin e ministrit të Jashtëm, tha se Qeveria zvicerane tani po punon për bisedime të reja me BE-në.

“Në Këshillin Federal ne aktualisht jemi në proces të definimit të kornizës për një paketë të mundshme apo për një agjendë bisedimesh”, tha ai të dielën për gazetën SonntagsZeitung.

Cassis përmendi si tema energjinë dhe elektricitetin për marrëveshje të mundshme dhe shtoi se ka “shumë mundësi për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, kërkimeve, mediave, kulturës, përmes së cilave ne mund të thellojmë raportet”.

Lidhjet ekonomike midis BE-së dhe Zvicrës tani mbikëqyren nga mbi 100 marrëveshje dypalëshe që datojnë nga viti 1972.

Ato marrëveshje janë ende në fuqi, por ato mund të prishen me kalimin e kohës dhe mund të rrezikojnë anëtarësimin e Zvicrës në tregun e përbashkët evropian.

Cassis tha se në një botë trepolare të Shteteve të Bashkuara, Rusisë/Kinës dhe BE-së, “presioni ndaj Zvicrës për të kultivuar raporte më të thella me Evropën do të rritet. Sepse BE-ja është më afër nesh ekonomikisht dhe ideologjikisht”.