ZRrE-ja raporton në Komision për Ekonomi, mediet i largojnë nga mbledhja

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), do të raportojë në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti pas situatës së krijuar nga Aktvendimi i Gjykatës së Apelit për tarifat e energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Kryesuesi i kësaj mbledhje, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, kërkoi që mediat të cilat ishin të pranishme të lëshojnë sallën.

Ai bashkë me kolegen nga radhët e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, thanë se pas kësaj mbledhje do të jenë të qasshëm për çdo pyetje nga ana e gazetarëve.

“Jemi të lirë pas mbledhjes për çdo prononcim. Aktualisht duhet të na falni”, u shpreh Shala.

Fillimisht, anëtarët e këtij Komisioni, kanë proceduar për në Kuvend projektligjin për markën tregtare dhe të drejtat që rrjedhin nga marka tregtare.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala, tha se grupi punues i ka nxjerrë 57 amendamente, të cilat do t’i propozohen Kuvendit për ta votuar Projektligjin për Markën Tregtare.

“Grupi punues ka përfunduar me punën për Marka Tregtare dhe të drejtat që rrjedhin për Marka Tregtare. Ne si grup punues kemi nxjerrë 57 amendamente dhe do të propozoja t’i votojmë amendamentet në grup dhe ligjin ta procedojmë më tutje”, tha Shala.