Zjarri monstruoz shkatërron tregun gjigant të shumicës në Paris

Një zjarr i tmerrshëm ka shkaterruar një nga tregjet më të mëdha të ushqimeve të freskëta në botë në periferi të kryeqytetit francez Paris.

Zjarrfikësit thanë se nuk kishte viktima dhe as njerëz të raportuar të humbur por kompleksi i tregtimit me shumicë i frutave e perimeve në jug të kryeqytetit u shkatërrua në mënyrë të pashpjegueshme.

Zjarri i nisur dje pak pas mesditës u vu nën kontroll pas disa orësh, ndërsa në pamjet amatore shihej një shtëllungë masive tymi të zi që ngrihej nga vendngjarja.

“Është shokuese, por të paktën nuk kishte viktima”, tha një prej pronarëve të tregut Shaoul Abramczyk.

“Nga nesër nuk do të mund të plotësojmë porositë e partnerëve tanë për disa ditë”, tha ai.

“Kur një operator bëhet viktimë e një tragjedie të tillë, i gjithë tregu goditet mu në zemrën e tij”, tha drejtuesi i tregut Stephane Layani.

Zyrtarë të zjarrfikësave thanë se flakët ishin përhapur shpejt në të gjithë ndërtesën dhe kur erdhën ata, çatitë nisën të shembeshin.

“Zjarri dilte nga dritaret por për dy orë arritëm ta shuanim. Eshte e trishte qe tashmë të gjithë të punësuarit e tregut kanë humbur vendin e tyre të punës.”