Zjarret në hapësirë të hapur nën kontroll, aktive vetëm edhe tri prej tyre

Shkup, 17 gusht – Gjendja me zjarret në hapësirë të hapur ngadalë po vihet nën kontroll ndërsa Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) porosit se faktori njeri është shkaku më i zakonshëm i zjarreve në vend, qoftë nëse bëhet fjalë për zjarr të qëllimshëm ose të paqëllimshëm. Për momentin aktive janë vetëm tri nga gjithsej 106 zjarreve më të mëdha pyjore prej të cilave më i keq ishte ai në Berovë, Pehçevë dhe Dellçevë që u shua me sukses.

Nga QMK herët në mëngjes paralajmëruan se do të ndërmarrin aktivitete për lokalizimin e zjarrit mbi fshatin Bezgashtevë midis Berovës dhe Strumicës drejt fshatit Naviçani në digën Turia që u riaktivizua dje pasdite në një terren me qasje të vështirë. Pikërisht ky ishte shkaku se pse dje nuk u intervenua menjëherë, pasi, siç theksuan nga QMK, ekipeve u nevojiten tri orë që të mbërrijnë në vendin e zjarrit.

Një helikopter i Maqedonisë së Veriut dhe një i Malit të Zi dje pasdite e shuan zjarrin në Komunën e Sarajit tek fshatrat Rahoviq dhe Bukoviq edhe pse tashmë është lokalizuar në pjesën e fshatit Rahoviq. Në intervenimin nga ajri, në shtrirjen nga fshati Bukoviq, fshati Çajlanë drejt Matkës, janë angazhuar 26 persona nga Vingu i aviacionit ajror me një helikopter të armatës të RMV dhe një helikopter të Malit të Zi.

Aktiv, por me intensitet të dobët është edhe zjarri në atarin e fshatrave Rakle, Nikodin dhe Toplicë në Komunën e Prilepit. Zjarri është në një terren pa qasje dhe po digjet barë i thatë. Në pjesë e lartë ka tym, por sipas QMK nuk ekziston rrezik për përhapje.

Nën kontroll është vënë edhe zjarri në fshatin Barovë të Demir Kapisë në brendi të rajonit të përfshirë nga zjarri akoma ekzistojnë disa vende ku vërehet tym.

Për parandalimin dhe zbulimin e autorëve dhe parandalimin e shkaktimit të zjarreve në hapësirë të hapur MPB në mënyrë të përforcuar është duke vepruar në terren dhe i ka angazhuar mbi 600 nëpunës policorë. Deri në tani në shuarjen e zjarreve kanë marrë pjesë nëpunës policorë të njësive speciale ndërsa është angazhuar edhe një helikopter i MPB-së.

Drejtori i QMK, Stojançe Angellov dje informoi se deri më tani janë djegur dhjetëra objekte, para së gjithash, shtëpi të vjetra dhe objekte shoqëruese, siç janë shtallat dhe është djegur çatia e një shtëpie në Koçan.

Sipas tij, vetëdija e qytetarëve është në nivel më të lartë, gjegjësisht ata më shumë kanë kujdes dhe nuk paraqiten shpesh si faktor i paqëllimshëm për paraqitjen e zjarreve.