Zgjedhjet e parakohshme/ Dëshirë për opozitën, temë e mbyllur për pushtetin

Shkup, 21 qershor – VMRO-DPMNE paralajmëroi bllokadë të plotë të institucioneve, rrugëve dhe mbarë vendit nëse qeveria nuk pajtohet me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për pushtetin, megjithatë, tema e zgjedhjeve është e mbyllur deri në vitin 2024 dhe i kanë bërë thirrje liderit të VMRO-DPMNE-së që të heqë dorë nga bllokadat.]

Nga qeveria bëjnë thirrje për arsye dhe theksojnë se VMRO-DPMNE tani duhet të tregojë përgjegjësi dhe konstruktivitet.

Sipas Martin Kostovskit, deputet nga radhët e LSDM-së, tani që tema e zgjedhjeve parlamentare është çështje e mbyllur deri në vitin 2024, Mickoski duhet të heqë dorë nga bllokadat dhe pengesat e mëtejshme.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së duhet të tregojnë përgjegjësi dhe konstruktivitet, zgjidhjet ligjore për qytetarët dhe ndihma në kohë krize të miratohen. Shembujt janë të shumtë në botë, në një kohë krize globale, opozita dhe qeveria duhet të punojnë së bashku në interes të qytetarëve dhe jo opozita të bllokojë dhe pengojë. Prandaj bëjmë thirrje për arsye, VMRO-DPMNE tani duhet të tregojë konstruktivitet, të fillojë të punojë për interesat e qytetarëve, në vend të ambicieve personale të Mickoskit, tha dje në një konferencë për shtyp Kostovski.

Qytetarët, siç tha, në këtë periudhë të ndjeshme, me të drejtë presin përgjegjësi, punë dhe përkushtim nga të gjitha subjektet politike në tejkalimin e pasojave të krizës globale. Në fakt këtë mesazh qytetarët ia kanë dërguar direkt Hristijan Mickoskit me debaklin e tubimit dhe pjesëmarrjen e ulët. Mesazhi i qytetarëve për Mickoskin është i qartë – ata nuk duan bllokada dhe pengesa, por presin përgjegjësi nga të gjitha palët, përfundoi Kostovski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dje paralajmëroi verë të protestave dhe bllokadë aktive të Kuvendit. Në vjeshtë, siç theksoi ai, do të ketë një grup të ri hapash.

“Për VMRO-DPMNE-në, koalicionin dhe shumicën e qytetarëve, çështja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk është e mbyllur. Vazhdojmë me aktivitetin tonë, do të kemi verë të protestave dhe bllokadë aktive në Kuvend. Në vjeshtë do të ketë hapa të rinj, do të jetë dinamike, ndërsa përgjegjësinë mbi këtë do e bartë Qeveria, tha Mickoski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së theksoi se kërkojnë zgjedhje të shpejta parlamentare që siç qartësoi “zgjasin prej 45 deri në 60 ditë”.

“Ne propozojmë ndryshim të Kodit zgjedhor me të cilën do të fshihet institucioni qeveri teknike”, tha Mickoski duke shtuar se kanë propozuar ligj pra ku do të fshijnë pjesën ku qëndron qeveri teknike.

Sipas tij, Qeveria po afrohet drejt fundit të saj. Herët ose vonë, thotë ai fundi do të vjen.

“Suksese të menjëhershme nuk ekzistojnë, premtoj luftë dhe premtoj fitore, këtë herë premtoj triumf të madh. Nëse i shohim matjet e mendimit publik shumë afër është VMRO-DPMNE deri te shumica në Parlament”, tha ai.

Edhe zëdhënësi i partisë Dimçe Arsovski dje tha se nëse nuk ka marrëveshje për zgjedhje, do të ndërmarrin aktivitete protestuese në mbarë vendin.

“VMRO-DPMNE së bashku me qytetarët, opinionin, popullatën shkon drejt qëllimit përfundimtar, e ai është zgjedhjet e parakohshme parlamentare në të cilat do të bjerë kjo Qeveri kriminale dhe katastrofale që e shkatërron Republikën e Maqedonisë. VMRO-DPMNE si parti politike do të ndërmarrë aktivitete të ndryshme protestuese në mbarë vendin, deri në qëllimin tonë final – ta sjellim ndërmend këtë qeveri kriminale të udhëhequr nga LSDM dhe BDI dhe të shpallim zgjedhje të parakohshme parlamentare, tha Arsovski.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sipas zëdhënësit të VMRO-DPMNE-së, janë të nevojshme dhe duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Edhe partia vlerëson se bllokada aktive si hap i parë është më se e suksesshme.

“Nëse kalojmë në bllokadë të gjithë vendit, e cila gjithashtu do të jetë e suksesshme, sigurisht që do të ketë zgjedhje, vetëm duhet t’i zvogëlojnë hallet dhe shqetësimet e tyre”, tha Arsovski.

Të dielën, pas takimit me partnerët e koalicionit në Qeveri, kryeministri Kovaçevski tha se zgjedhjet e parakohshme nuk do t’i zgjidhin problemet, por do t’i thellojnë ato. Me këtë qëndrim pajtohen të gjithë partnerët e koalicionit.

“Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në mandatin e rregullt në vitin 2024. Dialogu politik me opozitën për çështje të interesit më të lartë kombëtar duhet të zhvillohet në nivel konstruktiv brenda institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Shantazhet për zgjedhje të parakohshme dhe përpjekjet për bllokimin e legjislativit i vlerësojmë si të paarsyeshme”, tha Kovaçevski.