Zgjatja e luftës në Ukrainë zgjatë “luftën” në RMV për të mbijetuar nga kriza ekonomike

Shkup, 20 qershor – Fillimi i gjenocidit rus në Ukrainë po dihet, ndërkaq fundi jo. Edhe katër ditë bëhen katër muaj që kur ka filluar sulmi i pari i ushtrisë ruse në territorin e Ukrainës. Por, edhe përkundër kësaj fundi i kësaj ende nuk mund të dihet e as të parashikohet, sepse qëllimet e Rusisë janë vështirë të parashikueshme. Së fundmi, Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të vazhdojë me vite dhe kërkoi furnizimin për Kievit me armë të fundit, edhe nëse kostot janë të larta. Megjithatë, kur dëgjojmë paralajmërime të tilla duhet të analizojmë se si do të ndikojë në vendin tonë kjo zgjatje e luftës atje, duke pasur parasysh ndikimin që e ka dhënë kjo luftë pas 24 shkurtit në sferën ekonomike edhe në Maqedoninë e Veriut, shkruan Zhurnal.

Pas rreth katër muaj luftimesh në Ukrainë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka paralajmëruar se lufta në Ukrainë mund të vazhdojë me vite. Stoltenberg tha se “askush nuk e di se sa mund të zgjasë lufta”. Ndërkohë një raport i Ministrisë britanike të Mbrojtjes njofton për mundësinë e rënies së moralit të forcave ushtarake ruse dhe ukrainase.

Në një intervistë të botuar të dielën në revistën e përjavshme gjermane “Bild”, Sekretari Jens Stoltenberg tha se duhet të shtohet mbështetja ushtarake për Ukrainën.

“Ne duhet të përgatitemi që lufta të zgjasë me vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm në raport me mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, tha ai.

Nga ana tjetër, Ukraina është në fokus të Evropës dhe duan ta kenë sa më afër prandaj edhe në gjendje lufte është rekomanduar si shtet kandidat për në BE. Më 17 qershor, Komisioni Evropian ka rekomanduar dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën.

Rekomandimet e 17 qershorit të KE-së do të diskutohen nga liderët e BE-së gjatë takimit më 23 dhe 24 qershor në Bruksel, ku do të merret vendimi përfundimtar për rekomandimet e Komisionit Evropian.

Por, si do të ndikojë në Maqedoninë e Veriut zgjatja e luftës në Ukrainë?

Në RMV çdo ditë shpenzimet rriten por jo edhe të ardhurat, kjo diskrepancë krijon vrull dhe reflekton me kërkim zgjidhjeje jashtë vendit. Bëhet fjalë për periudhën pas 24 shkurtit ku Maqedonia e Veriut nuk është se ka ndonjë varësi të madhe tregtare e ekonomike nga Ukraina e cila u sulmua nga Rusia. Gjatë luftës atje, në RMV ka pasur “luftë” për mbijetesë në periudhën e valës së kësaj krize ekonomike që ka kaluar limitet e normalitetit.

Ekonomia në Maqedoninë e Veriut nuk do të anashkalohet dhe sigurisht që do t’i ndjejë pasojat e krizës ruso-ukrainase, për të cilën thuhet se nuk dihet se sa do të zgjasë ndoshta edhe me vite të tëra. Si pasoja të drejtpërdrejta të zgjatjes së kësaj lufte atje në vendin tonë pritet ngadalësim të rritjes ekonomike, si dhe përshpejtim të inflacionit, kjo rrit borxhin publik që shteti e merr si huazim për ta tejkaluar krizën, nga ana tjetër rritë shpenzimet e qytetarëve edhe për elementet bazike.

Kujtojmë që, Rusia është importuesja më e madhe e gazit natyror në Maqedoninë e Veriut me 96.5 për qind të importeve të gazit.

Përveç ndikimit ekonomik, nuk pritet të ketë pasoja të tjera për sa i përket cenimit të sigurisë së vendit, sepse tashmë Maqedonia e Veriut është anëtare e 30 e Aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.

Lidhjet e drejtpërdrejta tregtare dhe financiare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Rusinë dhe Ukrainën janë të dobëta dhe se zgjatja e konfliktit më tepër do të ndikojë në ekonominë e vendit përmes kanaleve të tjera. Tregtia me këto dy vende është më pak se 2% e tregtisë totale.

Megjithatë, ndikimet indirekte, nëpërmjet ekonomisë globale, por mbi të gjitha ekonomisë evropiane në vendet e rajonit, nuk do të mungojnë. Ato do të ndihen përmes katër kanaleve kryesore: tregtisë, çmimit të produkteve parësore, shtrëngimit të tregjeve financiare ndërkombëtare dhe besimit të konsumatorëve.

Përshkallëzimi tjetër mund të dhe ndodhë të ketë mungesë energjie. Çmimet e naftës dhe të gazit janë në rritje të vazhdueshme, nga frika se kriza midis Rusisë dhe Ukrainës mund të shkaktojë ndërprerje apo çrregullime në furnizime. Dhe, kjo shkakton implikime në zinxhirin ekonomik, duke u rritur edhe çmimet tjera.

Situatë jo e lehtë për tu përballuar për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pasi rritja e çmimeve u bë traditë e zakonshme madje edhe javore që çdo javë pothuajse kishte ndryshim çmimesh, nuk dihej se cilat masa dhe çfarë ndikimi kishin ato masa anti-krizë të marra nga Qeveria, sepse në praktikë secili qytetarë është në krizë të thellë. Shpenzimet mujore me të hyrat janë në një diskrepancë shumë të madhe me çka qytetarët edhe po dëshpërohen dhe shpresë po kërkojnë jashtë vendit.

Kujtojmë që, vendi është thelluar në krizë të shumëfish, por kriza ekonomike është ajo e cila i dëmton më së shumti qytetarët, ngritja e çmimeve nuk ka të ndalur, vazhdon sërish. Megjithatë, kjo krizë ekonomike dita ditës po bëhet e pa përballueshme për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, meqë mungesa e një strategjie dhe plan veprimit në situata të tilla për tejkalim sa më të lehtë që qytetarët mos të dëmtohen, në vendin tonë janë të parët qytetarët që dëmtohen nga rritja enorme e çmimeve të ushqimeve bazë. Vaji, qumështi, buka, vezët, orizi janë rritur sërish edhe pse kanë pasur çmime tejet të larta, madje vaji kushton shumë më shtrenjtë në Maqedoninë e Veriut se sa në Gjermani, ndërkaq të ardhurat këtu dhe atje dallojnë shumëfish herë. /Zhurnal.mk