Zelensky: Beteja për Donbasin është më brutalja në Europë

Beteja për rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore “me siguri do të hyjë në historinë ushtarake si një nga betejat më brutale në Evropë dhe për Evropën”, tha Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij të natës të hënën.

Kjo vjen pasi zyrtarët ushtarakë ukrainas më herët gjatë ditës thanë se trupat e tyre ishin larguar nga qendra e qytetit Severodonetsk, i cili së bashku me qytetin e tij binjak Lysychansk, është në qendër të betejës aktuale për atë që është ende nën kontrollin e Ukrainës në rajonin e Luhanskut në Donbasin lindor të Ukrainës, shkruan BBC.

Zyrtarët thanë gjithashtu se tre ura kyçe që lidhin Severodonetsk me Lysychansk tani janë të pakalueshme për automjetet, që do të thotë se rrugët e furnizimit brenda dhe evakuimet nga ato rrugë janë të pamundura.

Zelensky tha se rusët janë në epërsi të konsiderueshme sa i përket “sasisë së pajisjeve, dhe veçanërisht – sistemet e artilerisë”.

“Çmimi i kësaj beteje për ne është shumë i lartë. Është thjesht e frikshme. Dhe ne tërheqim vëmendjen e partnerëve tanë në baza ditore për faktin se vetëm një numër i mjaftueshëm i artilerisë moderne për Ukrainën do të sigurojë avantazhin tonë dhe më në fund fundin e torturës ruse në Donbasin ukrainas”, shtoi ai.

Zelensky tha se një djalë u vra të hënën nga granatimet ruse në betejën për Lysychansk.

“Kjo është ajo: një djalë 6-vjeçar në rrugën Moskovska është gjithashtu, siç doli, një armik i rrezikshëm për Federatën Ruse”, tha ai./21Media