Zaev: Të kemi kujdes të gjithë dhe t’i parandalojmë të gjitha rreziqet të cilat mund të shkaktojnë zjarr

Shkup, 7 gusht – Pyjet digjen lehtë, ndërsa shuhen rëndë – porosis që të kemi kujdes të gjithë, ta vëmë sigurinë në vend të parë dhe t’i parandalojmë të gjitha rreziqet të cilat mund të shkaktojnë zjarr, shkroi kryeministri Zoran Zaev në profilin e tij në Fejsbuk.

“Budinarci i Berovës është edhe një nga vendbanimet maqedonase të cilat u ngritën kundër zjarrit dhe bashkë me zjarrfikësit, me vendasit e tij dhe me ndihmën solidare po luftojnë për sigurinë dhe për shpëtimin e rrethinës”, njofton Zaevi.

Ai në shkrimin e tij potencoi se në këto ditë të solidaritetit rajonal, edhe një herë dërgojmë falënderim të madh për ndihmën e cila tashmë është në teren, ndërsa arriti nga Serbia, nga Sllovenia dhe nga Austria, si dhe për dy aeroplanët të cilët po vijnë nga Rumania.

“Situatën e ndjekim vazhdimisht dhe syhapur, në angazhim dhe koordinim të vazhdueshëm janë të gjitha kapacitetet e shtetit dhe bashkë me qytetarët dhe me ndihmën e miqve do të përballemi me këtë rrezik”, shtoi Zaevi në shkrimin e tij në profilin në Fejsbuk.