Zaev në takim me Bërnz dhe Mejer: Përkrahja nga SHBA-ja është e madhe në realizimin e reformave
Shkup, 13 gusht – Ambasadorja amerikane Kejt Bërnz, sot në takim me kryeministrin Zoran Zaev e prezantoi zëvendësambasadorin e SHBA-së në vend, Erik Mejer, të cilit kryetari i Qeverisë i dëshiroi mirëseardhje.
“Zëvendës ambasadori i SHBA-së ka shprehur kënaqësi nga ardhja në vend, duke i vlerësuar pozitivisht kushtet për bashkëpunimin e rritur akademik dhe sigurimin e prosperitetit ekonomik të të gjithë qytetarëve në vend”, informoi pres-shërbimi i Qeverisë.
Kryeministri Zaev, gjatë takimit theksoi se Qeveria me sukses e realizon agjendën reformuese dhe ekonomike, duke i ndjekur politikat e dialogut të hapur me vendet nga rajoni.
“Përkushtimi i jonë për demokratizimin e vendit, respektimin e të drejtave dhe çrrënjosjen e korrupsionit, është i fuqishëm dhe me angazhman të madh. Kushtet për investim bëhen gjithnjë e më të volitshme dhe po vërehet rritje e dinamikës së investimeve të vendit dhe të huaja. Përcaktimi ynë themelor, duke e ndjekur programin qeveritar, është të sigurojë prosperitet ekonomik të qytetarëve tanë, nxitje të rritjes ekonomike dhe dhënien e shkaqeve serioze që të rinjtë të mos e braktisin atdheun”, tha Zaev.
Kryeministri nënvizoi se përkrahja nga SHBA-ja është e madhe në drejtim të realizimit të reformave në sferën e sundimit të së drejtës, sigurimin e rritjes së qëndrueshme, nxitjen e konkurrencës, përforcimin e resurseve njerëzore dhe digjitalizimin e ekonomisë.
“Në takimin janë përshëndetur politikat e qëndrueshme dhe iniciativat e dialogut të hapur me fqinjët, nxitja e bashkëpunimit ekonomik dhe vazhdimi i rrugës për realizimin e eurointegrimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njofton pres-shërbimi i Qeverisë.