Xhaferi për Arbër Ademin: Nëse secili deputet ri në vendin e tij, nuk do të ndodhte një incident i tillë

Shkup, 29 qershor – Kryeparlamentari Talat Xhaferi, incidentin mes Arbër Ademit dhe deputetëve të opozitës, e ka cilësuar si të provokuar nga opozita, në të kundërtën sipas tij, nuk do të kishte përleshje verbale, informon Zhurnal.

Sipas tij, incidentin e shkaktuan deputetët që shkuan te foltorja. Mesazhi që dërgon Xhaferi është që e njejta të mos përsëritet më. “Nëse secili ri në vendin e vet nuk ndodh një gjë e tillë”, thotë Xhaferi.

“Nuk arsyetoj askë. Nuk arsyetoj një gjest të tillë. Kjo nuk është aspak mirë. Por, unë si kryetar i Kuvendit nuk kam kompetenca të ndikoj dhe të intervenoj. Kryetari ikomisionit është përgjegjës për rendin në seancën e komisionit, ndërsa sigurimi nuk guxon të intervenojë derisa nuk thirret. Duhet të shihet i gjithë inçizimi dhe të shihet se Ademi ka qenë i provokuar, vallë nëse ka qenë me ofendim personal, unë nuk mund ta vlerësoj këtë. Nuk është në rregull që i gjithë faji të bie mbi Ademin. Kur shihet më gjerësisht, është e qartë. Unë nuk mund t’i lidhë deputetët apo ti arrestoj që të mos dalin para foltores”, thotë Xhaferi.

Ai informoi se ka patur takim edhe me eurodeputetët dhe i ka njoftuar për incidentin, u ka dhënë inçizim integral nga regjimi i Kuvendit që të vlerësojnë situatën.

“Askush nuk duhet të reagojë në mënyrë të tillë, as pushteti as opozita. Ai është individ, nuk e arsyetoj, por dërgoj mesazh që të mos përsëritet, të mos ndodhë, dhe nuk do të ndodhë nëse askush nuk provokon. Kjo është shtëpi ligjvënëse, ato janë deputetë dhe kanë përgjegjësi individuale, këto janë regulla”, tha Xhaferi./Zhurnal.mk