Xhaferi me urim për 8 Marsin: Barazia gjinore do të thotë edhe ardhmëri e qëndrueshme

Shkup, 8 mars – Forca e saj është shumë e madhe dhe uroj që respekti dhe nderimet të jenë pjesë përbërëse dhe e natyrshme e përditshmërisë sonë sepse ajo është aty kur lind një jetë e re, kur zhvillohet, edukohet, ndërtohet në individ të shëndoshë, në krijues dhe kontribuues i vlefshëm për familjen, për shoqërinë, ajo është komponenti kryesor që e fisnikëron çdo çast dhe çdo veprim shoqëror, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas – 8 Marsi.

Në Ditën ndërkombëtare të gruas, Xhaferi përkujton se barazia gjinore do të thotë edhe ardhmëri e qëndrueshme.

Xhaferi uron që gratë gjithmonë të jenë të lumtura në jetën personale, të plotësuara në jetën profesionale dhe të kënaqura me arritjet, por gjithmonë të keni vullnetin dhe energjinë për arritje të mëtejshme, sepse atëherë kontributi Juaj do të jetë edhe më i madh në ndërtimin e familjeve dhe shoqërive të shëndosha.

“Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të uroj Ditën ndërkombëtare të gruas – 8 Marsin, dita kur shprehim nderimet dhe respektin ndaj forcës së gruas, ndaj rolit të saj në familje, në shoqëri dhe në botë, por mbi të gjitha ndaj saj si pjesë thelbësore dhe e pandashme e ekzistimit tonë si racë njerëzore. “Libri, lapsi, gruaja dhe fëmija mund të ndryshojnë botën” thotë Malala Jusufzai. Dhe unë jam i bindur se e sotmja do të dukej shumë më ndryshe e drejtuar nga gratë. Urime Dita ndërkombëtare e gruas, thuhet në urimin e Xhaferit.