Xhaferi – Matarella: Mbështetja e Italisë konfirmim i angazhimeve tona në procesin e eurointegrimit

Shkup, 9 shtator – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sot në një takim tet-a-tet me presidentin italian, Serxho Matarella theksoi se mbështetja pa rezervë dhe mbi të gjitha e miqve tanë dhe e shteteve tradicionalisht partnere siç është pa dyshim Italia, për ne paraqet konfirmim të padyshimtë i të gjitha përpjekjeve tona për të realizuar qëllimin strategjik dhe dëshirën e qytetarëve tanë – të bëhemi pjesë e familjes evropiane të popujve.

“Në takim Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësi që në vigjilje të vitit kur Maqedonia e Veriut dhe Republika Italiane shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, vizitat kthyese në nivelin më të lartë intensifikohen. Ai e njoftoi Presidentin Matarella me proceset aktuale në Kuvend, me punën e Grupit Parlamentar të Bashkëpunimit të Kuvendit me Parlamentin Italian, si edhe me gjendjen politike në shtet. Xhaferi foli edhe për diasporën tonë në Itali, e cila numëron mbi 100.000 banorë dhe falënderoi për raportin që Italia e ka në drejtim të qytetarëve tanë”, kumtoi kabineti i Xhaferit.

Në takim Xhaferi me presidentin italian, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend, bashkëbiseduesit folën edhe për gjendjen aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë në Evropë.

“Me fokusim në agresionin rus mbi Ukrainën, dhe kontributin që të dy shtetet, si aleatë në NATO e kanë për kthimin dhe ruajtjen e paqes Evropiane dhe botërore dhe këmbyen opinione rreth sfidave me të cilat do të ballafaqohet Evropa në fushat e energjetikës dhe sigurisë së ushqimit”, thuhet në kumtesë.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Presidenti Matarella u drejtua edhe para deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.