Xhaferi dërgoi telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-eurodeputetit Eduard Kukan

Shkup, 10 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi dërgoi telegram ngushëllimi për vdekjen e ish-eurodeputetit , Eduar Kukan.

“Me pabesim dhe pikëllim të thellë e pranova lajmin për vdekjen e ish eurodeputetit të nderuar Eduard Kukan. Me këtë rast, në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, drejtoj ngushëllimet më të thella ndaj familjes së tij, ndaj kolegëve në Parlamentin Evropian dhe ndaj bashkëpunëtorëve më të afërm në Universitetin Komenius në Bratislavë”, theksohet në telegram.

Xhaferi shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e tij të rëndësishëm, bashkë me kolegët tjerë nga Parlamenti Evropian, në kuadër të Dialogut Zhan Mone për avancimin e dialogut politik në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sidomos në kontekst të procesit eurointegrues.

Ai shton se largpamësia e Kukanit për bashkimin e Evropës me integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mbesë amanet për gjeneratat aktuale dhe të ardhshme.