Xhaferi- Adamova: Çekia është një mbështetës i madh i eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut
Shkup, 24 tetor – Në takimin e sotëm me kryetaren e Dhomës së deputetëve të Parlamentit të Republikës Çeke, Marketa Pekarova Adamova, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi potencoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe intensiv mes dy vendeve në të gjitha nivelet. Njëherësh, drejtoi mirënjohje ndaj palës çeke për ndihmën dhe mbështetjen e tërësishme të deritanishme që kishim në kontekst të integrimeve tona euroatlantike.
“Jam i bindur se mbështetja juaj dhe bashkëpunimi miqësor ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe më tej me intensitetin e njëjtë,” theksoi Xhaferi.
Në fjalën e tij të shkurtër për rrugën e deritanishme të vendit në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, për sfidat me të cilat u ballafaquam dhe ballafaqohemi në atë rrugë, Xhaferi shfaqi shpresë se e tëra do të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundur dhe më në fund do ti përmbyllim të gjitha çështjet e hapura të cilat një periudhë më të gjatë e vështirësojnë integrimin tonë të plotë. Ai po ashtu e përshëndeti edhe formimin e Grupit parlamentar çek të bashkëpunimit me Kuvendin tonë dhe shprehu bindjen e tij personale se bashkëpunimi parlamentar do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej me dinamikë të zmadhuar.
Kryetarja e Parlamentit çek, Marketa Pekarova Adamova shprehu kënaqësinë e vet për pritjen në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe potencoi se është e nderuar që pikërisht në këtë ditë të festës shtetërore në vendin tonë realizohet ky takim. Ajo theksoi se Çekia është mbështetës i madh i integrimeve të vendit tonë edhe atë jo vetëm me fjalë por edhe me vepra. E nënvizoi edhe bashkëpunimin e deritanishëm të shkëlqyer parlamentar dhe shprehu gatishmërinë që edhe më tej të thellohet bashkëpunimi i ndërsjellë në të gjitha fushat. “Jemi të vetëdijshëm se rruga juaj drejt BE-së është e vështirë por njëherësh jemi krenarë dhe e mbështesim optimizmin tuaj dhe gatishmërinë të korrni sukses në këtë rrugë”, theksoi Adamova. Po ashtu, në emër të vendit të saj shprehu falënderim ndaj Xhaferit për pjesëmarrjen dhe participimin tonë në ndihmën e përbashkët ushtarake ndaj Ukrainës, si aleatë në Aleancën e NATO-s.
Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi politik intensiv në të gjitha fushat do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme me intensitet të pazvogëluar.