Will Smith argëtohet me familjen dhe miqtë në pas-ndejën e “Oscars” pasi fitoi çmimin ‘Aktori më i mirë’ dhe skandalit që shkaktoi duke goditur me shuplakë Chris Rock

Will Smith pas përfundimit të ceremonisë zyrtare të “Oscars” u përpoq të fshinte skandalin më të madh në historinë 94-vjeçare të “Academy Awards”, duke bërë një festë të madhe në ndejën e “Vanity Fair”, vetëm disa orë pasi ai goditi prezantuesin dhe komedianin Chris Rock dhe më pas mori çmimin për “Aktorin më të mirë”

Aktori, 55 vjeç, pozoi për ‘selfie’, vallëzoi me miqtë dhe këndoi hitet e tij më të mëdha, përfshirë “Summertime” dhe “Gettin’ Jiggy Wit It” në qendrën “Wallis Annenberg” për Artet Performuese në Beverly Hills në orët e para të mëngjesit të sotëm (e hënë).

Ai u mbështet nga gruaja e tij Jada Pinkett-Smith dhe fëmijët e tyre në festë vetëm disa orë pasi sulmoi papritur komedianin për shkak të një shakaje për flokët e gruas së tij vetëm pak momente përpara kurorëzimi të karrierës së tij, kur ai fitoi çmimin që ishte “Oscar” i tij i parë – 20 vjet pas nominimit të tij të parë, shkruan DailyMail.

Jada u pa gjithashtu duke kërcyer dhe duke qeshur anash, ndërsa bashkëshorti i saj performoi para të ftuarve në event, ku përfshiheshin Serena dhe Venus Williams, Kendall Jenner, Kim Kardashian, Dakota Johnson, Kevin Costner, Chris Pine, Olivia Colman dhe Natalie Portman.

Disponimi i Will Smith në eventin e “Vanity Fair” ishte në kontrast të plotë me sjelljen e tij, ndërsa ai me zemërim goditi Rock-un përpara se të kthehej në vendin e tij për të bërtitur me fyerje ndaj tij.

Incidenti ishte aq i papritur sa audienca dhe miliona shikues fillimisht menduan se ishte një shaka.

Duke pranuar çmimin e tij, Will shpërthej në lot ndërsa ai i kërkoi falje akademisë dhe publikut – por jo Chris Rockut.

Dyshja kanë një grindje që daton gjashtë vjet pasi ai bëri një shaka në ‘kurriz’ të Jada në ceremoninë e ndarjes së çmimeve 2016.

Smith u pa gjithashtu duke u ngushëlluar dhe qetësuar nga miqtë Bradley Cooper dhe Denzil Washington gjatë një pauze reklamash pasi ai prishi momentin më të madh të karrierës së tij.

Ndërkohë sot gjithashtu ka patur thirrje që atij t’i merret çmimi “Oscar” për shkak të sulmit, i cili shkel kodin e ri të sjelljes së Akademisë, i hartuar në vazhdën e lëvizjes #MeToo.

Në anën tjetër, Chris Rock i ka thënë për autoritet se nuk dëshiron të ngrejë akuza kundër Smith.