Vullkani Etna “ndez” natën në ishullin e Siçilisë

Vullkani Etna i Italisë, vullkani më i lartë dhe më aktiv në Evropë, shpërtheu në mënyrë spektakolare duke ndriçuar qiellin e natës. Shpërthimi i përqendruar në kraterin juglindor të vullkanit dërgoi lart në qiell shtëllunga të mëdha tymi dhe hiri të cilat arritën deri në 8 kilometra.

Sipas autoriteteve italiane nga shpërthimi nuk ka patur të lënduar dhe as dëme.

Vullkani 3.200 metra i lartë mund të shpërthejë disa herë në vit, duke nxjerrë llavë e duke hedhur hi mbi ishullin mesdhetar të Siçilisë. Etna është vullkani më aktiv i Europës dhe për këtë arsye, mbetet një destinacion turistik tejet popullor. Edhe pse konsiderohet gjerësisht se ai nuk përbën rrezik për popullsinë lokale, sërish monitorohet me shumë rreptësi.