Vrau bashkëshorten me thikë në Piacenza, u arrestua pranë varrit të djalit
Piacenza, 9 maj medial.mk/ – Një tragjedi e rëndë familjare ka tronditur qytetin e Piacenzës në Itali, ku 55-vjeçarja maqedonase Milena Vitanova është gjetur e pajetë në banesën e saj, me plagë të shumta nga goditjet me thikë.
Sipas mediave italiane, bashkëshorti i saj, Hako Vitanov, ka telefonuar vetë në numrin emergjent 112 dhe ka pranuar se e kishte vrarë gruan e tij. Pas telefonatës, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia nisi menjëherë kërkimet.
Kur karabinierët dhe ekipet emergjente hynë në banesën e familjes në zonën “Via Giulio Pastore” në Piacenza, ata gjetën trupin e pajetë të Milena Vitanovës pranë divanit, me plagë të shumta nga mjet prerës dhe lëndime në kokë. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar edhe një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në krim.
Pas disa orësh kërkime, policia arriti ta lokalizojë Hako Vitanovin pranë varrit të djalit të tyre të ndjerë, Metodij, në varrezat monumentale të Piacenzës. Mediat italiane raportojnë se ai dyshohet të ketë tentuar të dëmtojë edhe veten, para se të arrestohej dhe të dërgohej në spital nën mbikëqyrje policore.
Sipas raportimeve, familja kishte kaluar një tragjedi të rëndë edhe në vitin 2020, kur djali i tyre Metodij humbi jetën në një aksident të rëndë automobilistik së bashku me kushërirën e tij.
Në momentin e ngjarjes, fëmijët e tjerë të familjes nuk ndodheshin në banesë dhe janë vendosur në një vend të sigurt.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime intensive për të zbardhur motivet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.

