VLEN si një parti, shuan ëndrrat për përçarje!

Editorial, Agjencia e Lajmeve Zhurnal

Shkup, 21 prill – Pas largimit të Arben Taravarit me pesë deputetët e tij nga koalicioni VLEN, tre liderët e tjerë Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibrahimi, së bashku me përfaqësuesin e Vetëvendosjen, deputetin Bekim Qoku, kanë vendosur të formojnë një parti të vetme politike. Duket se funksionimi i katër partive të deritanishme në një koalicion, nuk ka ecur siç duhet dhe të gjithë njohësit e çështjeve politike kanë sugjeruar se e vetmja zgjidhje është bashkimi në një parti të vetme. Këtu ndoshta edhe lindën shkëndijat e para të përçarjes, sepse pyetja që shtrohej gjithmonë ishte se kush do të jet kryetar i kësaj partie. Taravari që konsiderohej më pretenduesi dhe me më shumë deputetë, e shihte veten si kryetari i ardhshëm i VLEN-it, por pas sondazheve të bëra se ai çdo ditë e më shumë po humbë pikë dhe do ta ketë të vështirë të bëhet lider i VLEN-it, e ka “detyruar” që të ndahet e të shohë punët me partinë e tij. Ndarja e fundit i ka përshpejtuar proceset dhe i ka detyruar kryetarët e partive tjera të ngelura që të ulen dhe të mendojnë për të ardhmen politike, shkruan zhurnal.mk.

VLEN vendos themelet e para të partisë nga Struga

Gjatë ditës së djeshme në Strugë, koalicioni VLEN zhvilloi një mbledhje të përbashkët, ku u vendosën themelet e një bashkëpunimi të strukturuar politike për të ardhmen. Gjatë takimit, u mor vendimi për formimin e një Kryesie të përbashkët me 23 anëtarë – një hap i rëndësishëm drejt forcimit të unitetit dhe organizimit politik të koalicionit.
Nga takimi u konstatua se vetëm të bashkuar mund t’u japin shqiptarëve përfaqësimin që meritojnë. Përfaqësim dinjitoz, efikas dhe me zë të fuqishëm në qeveri, në institucione dhe në çdo komunë.

Duket se Struga u zgjodh si qyteti ku ujërat e Drinit dhe fryma e poezisë bashkohen në një thirrje për unitet dhe vizion. Në këtë qytet me rrënjë të thella historike dhe me një shpirt të gjallë modern, është bashkuar energjia e njerëzve që presin ndryshim të vërtetë.

Në takimin në Strugë u analizuan sfidat e momentit dhe u përcaktuan hapat konkretë për të forcuar më tej veprimin politik.

Ende nuk është bërë publike se si do të funksionojnë brenda kësaj partie politike, kush do të jetë kryetar, kush do të jenë funksionarë të tjerë dhe cilat do të jenë strukturat e partisë.

Gjithashtu nuk dihet nëse emrin do të vazhdojnë ta mbajnë si VLEN, ky emër që doli si rrjedhojë e koalicioneve partiake para zgjedhjeve lokale.

Në zgjedhjet lokale, VLEN del si një parti

Ndërsa zgjedhjet lokale po afrohen, brenda partive të koalicionit qeveritar ndjehet gjithnjë e më shumë nevoja për bashkim dhe të dalin sa më të unifikuar në zgjedhje. Drejtuesit e VLEN-it kanë besim, vizion dhe mbi të gjitha vullnet të qartë për të vazhduar me ndryshimin dhe për këtë arsye do fokusohen se cilat janë komunat ku mund t’i fitojnë.
Disa nga komunat janë bastione të VLEN-it, siç është Çairi, Tetova, por edhe ndikimi që do ato kanë në Kërçovë, Strugë, Dibër, Saraj e Likovë, është i dukshëm për të arritur deri te fitorja.

Çfarë do të thotë formimi i VLEN-it si parti!

Që në start, VLEN pritet të ketë nëntë deputetë, por gjasat për bashkim të deputetëve tjerë është i madh, sepse në partinë e Taravarit ka përçarje të mëdha pas ndarjes nga koalicioni VLEN dhe sinjaleve që ata janë në koordinimin me BDI-në. Shumë votues të Taravarit kanë qenë kundërshtarë të mëdhenj të politikave të BDI-së dhe tani në asnjë formë nuk mund të kapërdijnë faktin që të shkojnë e të bashkëpunojnë me Ahmetin.

VLEN si parti e vetme do të mund të koordinojë dhe sinkronizojë më lehtë të gjitha veprimet. Nuk ka nevojë më që për çdo veprim më të vogël të ulen e të koordinohen të katër liderët partiak.

Karshi partnerëve maqedonas të koalicionit do të dalin më të bashkuar dhe me një qëndrim të vetëm, dhe kjo do t’i bëjë ata më unik në kërkesat dhe qëndrimet e tyre.

Tek popullata shqiptare do të ketë shpresë të re se ky subjekt tanimë është i vetëdijshëm për barrën që ka dhe do të çojë përpara proceset shqiptare.

E thënë shkurt e shqip, VLEN do ta ketë përgjegjësinë më të madhe në proceset shqiptare.

Me rëndësi është që të vendosen themel e fuqishme, që mos të dridhen në të ardhmen nga çdo “tërmet” politik.