Viti turistik është kritik dhe i pasigurt, vlerëson sektori i biznesit

Shkup, 25 mars – Ky vit turistik do të jetë kritik, i rrezikshëm dhe i pasigurt. Tashmë i humbëm tregun rus, ukrainas dhe polak, janë zvogëluar grupet e vizitorëve tanë tradicionalë nga Belgjika dhe Holanda, dhe janë anuluar një numër i madh i aranzhmaneve ose ndoshta do të realizohen, po pa garancion, vlerëson sektori i biznesit nga Shoqata për hotelieri dhe turizëm pranë Odës ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Nga Shoqata në brifingun e sotëm me gazetarët theksuan se situata është katastrofale, jo vetëm për shkak të pandemisë aktuale dhe konfliktit ruso-ukrainas, por edhe për shkak të “punëve të parregulluara” në vend. Jemi të brengosur, thanë, nëse urgjentisht nuk ndërmerret asgjë, do ta humbim jo vetëm këtë vit por edhe vitin 2023.

“Jemi bindshëm më të këqijtë në rajon, paralajmërimet tona për rënie prej 60 për qind në vitin 2021 krahasuar me vitin 2019, para pandemisë, u realizuan. Është e nevojshme që shteti të krijojë kushte për turizmin, dhe institucionet të bëjnë punën e tyre. Këshilli i Turizmit, i cili ka 15 muaj “pa punë” duhet të fillojë të funksionojë dhe më në fund të vihet në funksion Komiteti i Turizmit, i cili është themeluar me vendim zyrtar të qeverisë në nëntor të vitit2020″, reagon Shoqata dhe shton se turizmi maqedonas nuk ka lëvizur nga pozita e vitit 2020.

Sipas sektorit të biznesit, trajtimi i turizmit reduktohet në “shetitje” dhe “bukuri”.

“Sektori nuk njihet si sistem ekonomik. Qasja jonë është katastrofale. Për momentin, aktivitetet nuk janë serioze dhe një lloj ekrani apo simulimi i asaj që po ndodh në të vërtetë. Për çfarë lloj marketingu po flasim nëse ende nuk dimë profilin e turistëve vendas dhe të huaj. Ne nuk kemi një objektiv, por bëjmë promovime. Në bazë të çfarë? Dhe kur bëhet fjalë për të ardhurat e fituara, duhet të jetë me kod aktiviteti, sepse gjithçka tjetër është manipulim. Kaosi është gjithashtu në të dhënat. Për shembull, janë regjistruar 90 restorante kombëtare dhe në “Librin e Artë” janë 1400″, theksojnë nga Shoqata, e cila gati një vit më parë ka dërguar gjithsej 65 propozime në Agjencinë për Mbështetje dhe Promovim të Turizmit, por deri më tani ka nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Nga shoqata theksuan se në vitin 2019 të ardhurat nga turizmi ishin rreth 480 milionë euro dhe sipas APMT-së tani kemi tre për qind më pak të ardhura me 60 për qind më pak turistë të huaj dhe pesë për qind më pak turistë vendas.

“Kjo është marrëzi. Janë të pakuptimta edhe pretendimet e Agjencisë se turistët ukrainas do të zëvendësojmë me turq, si dhe se do të kemi një milion turistë bullgarë. Ndryshe, sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë dhe Qeverisë, kemi 50 hotele më pak të kategorizuara në vitin 2020 dhe 2021 krahasuar me vitin 2018 dhe 2019 dhe 47 agjenci turistike me licencë A më pak, pra nga gjithsej 180 hotele, tani kemi 130, dhe nga 177 agjenci kemi rreth 140 me licencë A”, theksuan nga Shoqata.