Viti 2022 do të mbahet mend për këto ngjarje!
Shkup, 1 janar – Maqedonia e Veriut po e përmbyllë edhe vitin 2022 pa treguar rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsioni. Pothuajse të gjithë sindikatat në protesta duke kërkuar rritje të pagave. Kriza ekonomike e ka kapluar secilin qytetar përgjatë këtij viti duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e jetës me pagat minimale që minimizonin përmbushjen e objektivave të tyre. Rrugëtimi evropian ishte sfidë që e përcjelli vendin edhe përgjatë këtij viti, por që me lajme me të mirë me hapje të negociatave, por jo edhe fillim. Pasi për të njëjtat kërkohet të bëhen ndryshimet Kushtetuese. Dëbimi diplomatëve rus ka qenë në masë të madhe që vetëm gjatë këtij viti 11 diplomatë janë dëbuar si të akuzuar për spiunazh, posaçërisht gjatë kohës që Maqedonia e Veriut negocionte me Bullgarinë për gjetje të një kompromisi për zhbllokim të rrugëtimit eurointegrues. Përgjatë vitit 2022 kanë ndodhur edhe ngjarje tjera të rëndësishme që janë të sqaruar në vazhdim, shkruan Zhurnal.
Ngjarjet që kanë përcjellë Maqedoninë e Veriut përgjatë vitit 2022-
Përbërja aktuale e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është votuar në Kuvend më 16 janar të vitit 2022 me 62 vota “pro” dhe 46 “kundër”, pasi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski e fitoi mandatin për përbërje të Qeverisë nga Presidenti Stevo Pendarovski. Fillimi i vitit 2022 u shoqërua me fillim të një qeverisjeje të re, me një kryeministër të ri, që përgjatë gjithë vitit ka pasur ngjarje nga më të ndryshmet, një revoltë të pashembullt të të gjitha sindikatave, krizë ekonomike, rritje e çmimeve që vështirësoi edhe më shumë jetën e qytetarëve. Raste korrupsioni të zyrtarëve qeveritarë, kufitarë e të tjerë. Kontesti i hapur me Bullgarinë, formimi i Komisionit Historik, e gjëra të tjera kanë qenë punët që e kanë shoqëruar këtë qeveri përgjatë këtij viti.Ajo që ishte si ngjarje e vendit në konotacion pozitiv ishte mbledhja e përbashkët qeveritare në Bruksel me çka zyrtarisht u hapen negociatat për anëtarësim në BE. Pa çka se kjo hapi edhe një sfidë të re vendit për të filluar negociatat. Investimet e huaja në vend vazhdojnë të mbesin në sirtarin e pritjeve të gjata.
Më 3 mars, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi deklaratën që dënon “sulmet ushtarake që kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, e cila u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të jenë në koordinim të ngushtë me vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE). Veprim ky që rreshtoi Maqedoninë e Veriut në anën e duhur krahë përkrahë aleatëve evropian dhe SHBA-së.
Më 25 mars, kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në futboll në stadiumin ‘Renzo Barbera’ të Palermos mposhti me rezultat 0:1 kampionin e Evropës, Italinë, në gjysmëfinalen e turneut ‘play-off’ të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës Katar 2022. Që konsiderohet të jetë një ndër ngjarjet më të rëndësishme të shënuara nga sfera sportive përgjatë këtij viti.
Më 30 mars, Enti Shtetëror i Statistikave i Maqedonisë së Veriut shpalli rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vend, duke njoftuar se gjithsej janë regjistruar 2.097.319 shtetas të vendit, prej të cilëve 1.836.713 rezident dhe 260.606 jo rezident. Regjistrimi paraprak i popullsisë në vend për herë të fundit u mbajt në vitin 2002. Dhe, kjo konsiderohet si një arritje pasi për të njëjtin proces Maqedonia e Veriut pati dështuar në vitin 2011, dhe regjistrimi është anuluar. Kjo dëshmonte se procesi i regjistrimit në këtë vend kishte ndryshuar kuptimin dhe nuk ishte vetëm proces statistikor. Por, për fat të mirë ky proces përfundoi përgjatë këtij viti, edhe pse për të njëjtin ka pasur ankesa të shumta e mos pajtueshmëri nga shumë parti politike, akademike, dhe qytetarë.
Në prill, Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës(SAShK) në Maqedoninë e Veriut shkoi në grevë të përgjithshme apo bojkot të mësimit për arsye se Qeveria nuk përmbushte kërkesën për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm.
Më 7 dhe 8 qershor, në Ohër u mbajt samiti i iniciativës “Ballkani i hapur”, ku liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për herë të parë iu bashkëngjitën edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët mbështetën iniciativën, duke shprehur dëshirën për t’iu bashkuar asaj në të ardhmen. Por, tani pas tensioneve të rritura në veri të Kosovës, Ballkani i Hapur është mbyllur si temë kuptohet vetëm përgjatë kësaj periudhe, ku ideatori i kësaj nisme, Aleksandër Vuçiq, po provokon shtetin e Kosovës dhe po rrezikon prishjen e stabilitetin si dhe kërcënim të paqes e sigurisë në rajon. Prandaj, ideja e Ballkanit të Hapur nuk arriti që përgjatë këtij viti të merr fund, shpresohet që në vitin e ardhshëm kjo ide të jetë pjesë e së kaluarës historike të rajonit, të kujtohet si një iniciativë dashakeqëse dhe si e tillë e përfunduar.
Më 16 dhe 17 qershor, në Ohër u mbajt Forumi për Dialog i Prespës, platformë e formuar nga qeveria e vendit që synon të frymëzojë dhe promovojë marrëdhënie dhe bashkëpunim të fqinjësisë së mirë. Përpos pjesëmarrjes të liderëve të vendeve të rajonit dhe më gjerë, në këtë forum përmes video-lidhjes u adresua edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Më 2 korrik, në kryeqytet filluan protestat opozitare kundër “propozimet francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që vazhduan më tej edhe në ditët të ardhshme duke shënuar edhe incidente, pasi paraprakisht qeveria e vendit pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze pas së cilës u njoftua fillimi i një procesi konsultativ në vend, që kishte për qëllim të çojë në heqjen e vetos 2-vjeçare të Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Që ishte paraqitur edhe si bllokadë për Maqedoninë e Veriut, për fat të keq edhe për Shqipërinë. Gjatë protestave ka pasur edhe gjuajtje me armë zjarri si dhe rrezik për eskalim të situatës ndëretnike në vend.
Më 16 korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet që e obligojnë qeverinë të vazhdojë procesin me BE-në, si dhe të miratojë kornizën e negociatave për anëtarësimin në bllokun evropian, respektivisht “propozimin francez” të propozuar nga Presidenca e Francës në Këshillin e BE-së. Më 19 korrik, në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që shënoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e dy vendeve në BE. Por, që nuk duhet ngatërruar kemi të bëjmë vetëm me hapje të negociatave dhe jo fillim. Për fillim të negociatave RMV është e kushtëzuar për të bërë ndryshimet Kushtetuese.
Më 19 tetor, filluan kërcënimet përmes adresave elektronike për bomba të vendosura në shkolla, institucione shtetërore, ndërmarrje publike e qendra tregtare, me dhjetëra kërcënime që kanë vazhduar më tej edhe në muajin dhjetor. Dhe, me fjalë të tjera kërcënimet për bomba u bënë përditshmëri e zakonshme, me çka pothuajse dy herë brenda javës kishte kërcënime të tilla në hapësirat më të frekuentuara me njerëz, si qendra tregtare dhe shkolla.
Maqedonia e Veriut e ka përmbyll vitin 2021 pa rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, bazuar në vlerësimet e institucioneve dhe organizatave që merren me luftimin e kësaj dukurie. Maqedonia e Veriut vetëm përgjatë viti 2022 ka dëbuar 11 diplomatë rus, të cilët janë kapur si të dyshuar për spiunazh. Këto janë vetëm disa prej ngjarjeve që e kanë shoqëruar Maqedoninë e Veriut përgjatë vitit 2022. /Zhurnal.mk

