Visar Ganiu mirëpret në takim u.d ambasadorin e Kosovës, Prindon Sadriu
Shkup, 22 shkurt – U.D Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prindon Sadriu sot ka vizituar kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiun.
Në këtë takim ku prezent ishte edhe nënkryetarja e komunës së Çairit, Sermine Purini, zv.shefi i misionit të Ambasadës së Kosovës në RMV, Vlorat Gashi. Në takim theks i veçantë u vendos në thellimin e bashkëpunimit institucional mes Komunës së Çairit dhe pushtetit lokal të Kosovës, informon Zhurnal.
Ganiu ka njoftuar mysafirët se komuna e Çairit ka vendosur marrdhënie të shkëlqyeshme bashkëpunimi me komuna kosovare ndërsa janë realizuar dhe binjakëzime.
“Mysafirët i njoftova se tanimë institucioni ynë ka vendosur marrëdhënie të shkëlqyeshme bashkëpunimi me komuna kosovare, kemi realizuar edhe binjakëzime ndërkohë që jemi edhe në koordinim të vazhdueshme dhe kemi filluar realizimin e disa projekteve të përbashkëta me fonde ndërkombëtare.
Gjithashtu vura në dukje se kultivimi dhe ruajta e frymës së bashkëpunimit mes institucioneve lokale të të dyja vendeve është ajo që mund të çojë drejt mirëqenies, avancimit dhe këmbimit të përvojave të ndërsjella e me këtë do të ngriten në një shkallë më të lartë edhe raportet shtetërore.
Bashkë me mysafirët vlerësuam se takimi ishte tejet premtues dhe hap i madh përpara në hapjen e mundësive për të qenë në shërbim sa më të mirë të qytetarëve të të dyja palëve”, është shprehur Ganiu./Zhurnal.mk