Visar Ganiu: I gjithë Çairi parashihet të bëhet me ndërtesa kolektive, 10 milion euro për zgjerimin e Çairçanës
Shkup, 6 shtator – Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu sot në Tv21 tha se për rregullimin e trafikut në komunikacionin e rrugës “Cvetan Dimov” është paraparë projekt në vlerë të mbi 10 milionë eurove. Ganiu tha se buxheti do të jetë i ndarë nga komuna e Cairit dhe Qyteti i Shkupit, ndërsa nëse do të ketë nevojë do të kërkojmë mjete edhe nga Qeveria .
“Ka ligj, aty ku është interes shtetëror siç janë rrugët, bulevardet dhe kështu me radhë ka ligj të posaçëm dhe në bazë të atij ligji ne do të funksionojmë… Çdo objekt që e kap trajektorja, që duhet të largohet ai objekt do të shpërblehet dhe shumë pronarë e dinë që në bazë të planit gjeneral dhe detal se prej ku deri ku ajo rrugë duhet të zgjerohet, por e mira e kësaj eshët që dëmshpërblimi do të jetë korrekt dhe konform asaj vlerë që e ka ai objekt”, tha mes tjerash Ganiu.
Sa i përket ndërtimit të ndërtesave kolektive, Ganiu tha se i gjithë Çairi pritet të bëhet me ndërtesa dhe jo më me shtëpi individuale.
–Plani gjeneral Komunën e Çairit e parasheh me ndërtesa kolektive dhe jo me shtëpi individuale dhe për atë çdo infrastrukturë që bëhet ne e bëjmë parakusht që nesër ato plane t’i realizojmë për mirëqenie me të mirë”, tha Visar Ganiu. Ai thotë se për kushte më të mira jetese, vendin e shtëpive në Seravë, Gazi Babë dhe Dizhon, duhet të bëhen ndërtesa kolektive.
“I gjithë territori i Çairit është i paraparë me ndërtesa kolektive. Ne kërkojmë tash sikur jetojnë në shtëpia, sikur në Serovë, Gazi Babë dhe lagja e Dizhonit, d.m.th. në vend se të jetojnë në mënyrë horizontale, ne të jetojmë në mënyrë vertikale, por për rreth në të ndërtojmë parqe, parkingje”, deklaroi mes tjerash Ganiu.
Sa i përket parkingjeve në Çair, Visar Ganiu thotë se të gjitha dokumentacionet nga bashkëpunimi me biznesmenin kosovar Behxhet Pacolli janë gati por se problemi qëndron te ligji i bllokuar në Qeveri dhe Parlament.
“Me Bexhet Pacollin ne i kemi bërë të gjitha dokumentacionet, ata kanë hapur edhe zyrtarisht firmë këtu në Maqedoni, për këtë dedikim, ne i kemi bërë projeksione, biznes planet, fizibilitetin, të gjitha. Por Ligji për Investime Strategjike për momentin është bllokuar në Qeveri dhe në Kuvend”, tha mes tjerash Ganiu.
Ganiu tha se komuna gjithashtu po punon për plan të dytë në lidhje me parkingjet, në rast se në Kuvend dhe Qeveri nuk kalon #Ligji për Investime Strategjike.
“Jemi duke biseduar me Qytetin e Shkupit, ku në ato bulevarde ku i menaxhojnë dhe kanë të drejta t’i menaxhojnë parkingjet, si në rrugën Cvetan Dimov dhe te Plastikat dhe në vendet tjera që të ecin procedurat, që nëse nuk kalon Ligji për Investime Strategjike, ne ta kemi opsionin e dytë”, tha Ganiu duke shtuar gjithashtu se plani detal për parkingun nëntokësor te Sheshi Skënderbeu është në fazë përfundimtare./Zhurnal.mk