Visar Bekaj futbollisti që duhet marrë shembull – Ishte titullar përballë Galatasarayt, por zgjodhi të vinte te Kosova për të qëndruar në bankën rezervë

Visar Bekaj është futbollisti që duhet marrë shembull te Përfaqësuesja e Kosovës, prej momentit të parë që është ftuar në vitin 2020 dhe jo vetëm për këtë grumbullimin e fundit.

Kosova ka zhvilluar ndeshjen e parë ndaj Izraelit në një datë jo të zakonshme, shkaku që ishte shtyrë ndeshja nga muaji tetor kur ishte paraparë të zhvillohet.

Shtëpia më e madhe e futbollit botëror, FIFA u kishte dhënë urdhër të gjithë klubeve që t’i lironin futbollistët sikur të ishte datë normale e FIFA-s, por disa nga ta i kishin më primare ndeshjet me klubet e tyre se sa me Përfaqësuesen e Kosovës.

Portieri i Kosovës, Visar Bekaj është ai që duhet marrë shembull nga të gjithë. Bekaj ka bërë hapin e madh në karrierë këtë verë kur iu bashkua skuadrës turke Hatayspor nga Tirana dhe fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë.