Viola von Cramon thotë se ka marrë një letër kërcënuese nga mercenarët e “Wagner”, grup i udhëhequr nga oligarku i afërt me Putinin

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka bërë të ditur se ka marrë një letër kërcënuese, si pasojë e një fjalimi të saj, fjalim që kishte bërë pak muaj më parë.

Sipas asaj që ka thënë von Cramon, letra kërcënuese ka ardhur nga grupi mercenar “Wagner”, grup i sponsorizuar nga shteti rus dhe i drejtuar nga oligarku i afërt me Vladimir Putinin, Yevgeny Prigozhin, përcjell Telegrafi.

Siç është thënë më herët, ky grup ka rekrutuar, trajnuar dhe dërguar operativë ushtarakë privatë në zonat e konfliktit anembanë botës për të ushtruar dhunë, grabitje të burimeve natyrore dhe frikësim të civilëve duke shkelur ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Grupi mercenar rus tërhoqi për herë të parë vëmendjen ndërkombëtare në vitin 2014, kur mbështeti separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

“Rusia është një shaka! Grupi mercenar i sponsorizuar nga shteti rus, Wagner, i drejtuar nga oligarku i Putinit, Prigozhin është aq i pakënaqur me fjalimin tim plenar sa më ka dërguar një letër kërcënuese duke më paditur për 10.000.000 rubla. Më bënë për të qeshur. Gëzohem që jam në shoqërinë e Andrius Kubilius”, ka shkruar ajo një Twitter.

Aty ajo ka publikuar edhe letrën kërcënuese.