Vetoja bullgare jep shenja jete, kthehen shpresat se në fund mund të ndodhë mrekullia
Shkup, 17 qershor – Kthehen shpresat e optimizmit pas dozës së lartë të pesimizmit mbi veton bullgare, tani ka shtytje të fuqishëm nga përfaqësues evropianë për heqjen e vetos për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut. Propozimi francez ka ngjallur shpresa se deri në fund të muajit mund të ketë zhvillime pozitive në drejtim të zhbllokimit të procesit integrues. Por një propozim i tillë është i vonuar është dashur shumë herët një presion i tillë ndërkombëtarë në drejtim të së mirës së përgjithshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, tani shihen shenja jete në veton bullgare dhe mund të ndodhë mrekullia në momentin që nuk pritej vetoja të hiqet, shkruan Zhurnal.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ndodhen në prag të vendimit të shumëpritur për sa i përket përpjekjeve maksimale për të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në. Tani kanë filluar ethet e fundit të qershorit, ku vendet ndodhen përballë spekulimeve, ideve të ndryshme që plasohen në opinion, me çka ndikon që qytetarët e dyja vendeve janë skeptikë dhe të hutuar. Por, edhe përkundër kësaj ka ndikuar një propozim francez që të rikthejë shpresat për atë se mund të ndodhë mrekullia dhe në momentin që nuk pritet të hiqet vetoja bullgare dhe ti hapet rruga euro-integruese vendeve të rajonit.
Kryeministri i Bullgarisë, Petkov, ka theksar se “pas meje qëndrojnë Emanuel Makron dhe Ollaf Shollc”. Edhe Shkupi edhe Sofja kërkojnë garanci për zgjidhjen eventuale për heqjen e vetos. Shkupi kërkon garanci se kërkesa për përfshirje të bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së do të jetë kërkesa e fundit bullgare sa i përket këtij problemi. Sofja, nga ana tjetër, kërkon, që BE-ja të jetë garantuese se Maqedonia e Veriut do t’i përmbushë kushtet e Bullgarisë.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, ka bërë të ditur se kryeministri bullgar Kiril Petkov, ka premtuar se do ta heqë veton për fillimin e bisedimeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në deri në fund të presidencës franceze.
Qeveria bullgare ishte drejt rrëzimit pas dorëheqjes së dy ministrave dhe kërcënimeve të partnerëve të koalicionit se do ta rrëzojnë qeverinë Petkov, ky i fundit me qetësi deklaron se ka siguruar shumicë të re parlamentare.
“Ky parlament ka shumicë të re. Të gjithë janë këtu për lojëra politike, nuk ka moral por lajmi i mirë është se këtë e panë të gjithë bullgarët. Ne nuk frikësohemi nga zgjedhjet, sepse njerëzit shohin për momentin dhe kanë pasqyrë të qartë se çfarë po ndodhë.” Tha Petkov.
Në ndërkohë, dje Charles Michel, president i Këshillit Evropian, në konferencën e përbashkët me presidentin Stevo Pendarovski ka deklaruar se së shpejti do të ketë zhvillime pozitive në zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes.
“Rreth Maqedonisë së Veriut, do të dërgojë një mesazh të qartë se BE është fuqishëm e përkushtuar në hyrjen tuaj në BE. Fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë të nisin sa më parë, ky është prioritet kryesorë dhe i mbështesim të gjitha përpjekjet që të gjendet zgjidhje e përbashkët e pranuar për çështjen e hapur bilaterale me Bullgarinë. Unë me të vërtetë jam i përfshirë në këtë bashkë me Francën dhe BE-në që të ndihmoj që të lëviz ky proces para dhe jam i bindur se do të kemi zhvillim pozitiv shumë shpejtë”, ka thënë Michel.
A do të ndikojë propozimi francez për heqjen e vetos bullgare?
Franca po ndihmon rajonin e Ballkanit, konkretisht Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në mënyrë të drejtpërdrejt duke u involvuar në zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, së fundmi ka një propozimin për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ku pritet t’i dërgohet zyrtarisht edhe qeverisë bullgare.
Ky propozim nga Franca pritet që t`u dërgohet edhe vendeve anëtare të BE-së. Propozimi parasheh heqjen e vetos dhe Bashkimi Evropian të bëhet garantues që Shkupi të përmbushë kushtet e parashtruara nga Sofja.
Shtetet evropiane kur duan edhe munden, një propozim i tillë mbase edhe është i vonuar është dashur shumë më herët të intervenojë në këtë formë Franca, që vetoja bullgare mos të zvarrit procesin e integrimit të dy vendeve të Ballkanit në BE.
A ka ende skepticizëm për heqjen e vetos bullgare?
Ish-ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zakharieva, thotë se nga heqja e vetos do të humbas Maqedonia e Veriut, duke shtuar se si Bullgaria ashtu edhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të humbasin nga kjo heqje e shpejtë e vetos. Sipas Zakharieva, në interesin e RMV-së duhet te jetë reformimi i vendit.
“Është në interesin e tyre të njohin historinë ashtu siç është, dhe jo historinë fiktive të krijuar për t’i distancuar nga Bullgaria dhe bullgarët,” tha në një intervistë sot Ekaterina Zaharieva.
Zakharieva mes tjerash ka nënvizuar se Franca nuk mund të garantoj kërkesat e Bullgarisë, duke shtuar se nuk e kupton pse Petkov po nxiton të heqë veton për fillimin e negociatave me BE-në.
“Franca nuk mund të garantojë kërkesat e Bullgarisë nëse ato nuk hyjnë në kuadrin e negociatave dhe nuk miratohen nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Dyshimi im i vetëm është se Kiril Petkov premtoi heqjen e vetos deri në fund të presidencës franceze. Diçka që ai e mohon, por të gjitha veprimet e tij flasin në drejtim të kundërt, përfshirë edhe këtë vendim që dje është miratuar nga Këshilli i Ministrave”, tha Zakharieva.
Por, edhe përkundër zërave skeptik tani janë shtuar shpresat për një mundësi të tillë që vetoja të hiqet e kjo krejt mund të ndodhë me një vendim të përshpejtuar në parlamentin bullgar, sigurisht duke qenë të koordinuar me politikat evropiane e me mbështetje të plotë të shteteve evropiane. Kjo do të krijonte një atmosferë sigurie e shpresë për inkuadrim sa më të përshpejtuar që zhvillimi ekonomik dhe social të jenë në nivelin e duhur. /Zhurnal.mk

